Gjyqtarët, makthi i presidentëve të futbollit

Gjyqtarët, makthi i presidentëve të futbollit
Kjo fazë e fundit e Superiores ka përballur skuadrat në të gjitha pozicionet e klasifikimit dhe presioni është rritur ndjeshëm.
Gabimet e gjyqtarëve janë kthyer në makthin e disa presidentëve, të cilët ndjejnë që investimi i tyre shpesh kërcënohet prej vendimeve, që sipas presidentit të Partizanit, Gazmend Demi, kanë filluar të bëhen të qëllimshme.
“Gabimet e gjyqtarëve mund të kenë qenë ndonjëherë njerëzore, por tani mendoj që janë kthyer në të qëllimshme dhe janë kthyer në ordinerllik. Kjo është për të keqen e garës së futbolli dhe federatës”, thotë Gazmend Demi.
Ndërkohë, bashkëkryesuesit e Partizanit, Kukësi është një tjetër skuadër e penalizuar në shumë raste në këtë kampionat, por presidenti Safet Gjici, pavarësisht gabimeve të tyre, ka vendosur të merret me stafin e tij, duke fajësuar më tepër ata se sa gjyqtarët për mungesën e rezultateve në disa raste.
“Unë kam 5 vite që ankohem për gjyqtarët nuk ankohem vetëm këtë vit. Ato kanë gabimet e tyre por nëse ne na penalizon me një penallti të pa dhënë në minutën e 20 skuadra kishte 70 minuta në dispozicion për të reaguar. Kështu që e mira është që trajneri dhe stafi im teknik të mos merren me gjyqtarin, por ta shohin gabimin tek vetja”, shprehet Safet Gjici.
Gara e ngjeshur në pozicionet e kreut ashtu si edhe në ato të zonës së ftohtë, ka bërë që të gjitha skuadrat të jenë në garë, përjashtuar Korabin që ka siguruar rënien nga kategoria. Në këtë periudhë të kampionatit gjithnjë e më tepër flitet për premion e palëve të treta që presidenti Demi e pohon, madje kërkon të legjitimohet.
“Për mendimin tim kjo është krejtësisht normale që të motivosh një skuadër tjetër për të ndalur kundërshtarin tënd. Gjatë presidencës time mund të kemi dhënë edhe premio të tilla por nuk mbaj mënd skuadrat se u bën 4 vjet”, thotë Demi.
Ndërsa nuk mbeten prapa edhe aleancat, ku në fundjavën e ardhshme më e përfolura është ajo mes Tiranës dhe Kukësit, ku verilindorët përfliten si përfitues të 3-pikëshit, por presidenti Gjici mohon gjithçka.
“Çfarë marrëveshje të bëjë unë me Tiranën, atyre i merr barazimin Laçi këtu në Tiranë. Ne nuk ishim të interesuar për kupën prandaj u eliminuam nga Tirana, por s’ka asnjë marrëveshje. Ne jemi skuadra më e ndershme”, thotë Gjici.
Login to post comments
back to top