Zhduken bletët, banorët: Shkak është mbjellja e hashashit

Zhduken bletët, banorët: Shkak është mbjellja e hashashit

Shqetësimin për zhdukjen e një sasi të konsiderueshme familjesh të bletëve në qarkun e Elbasan e ka konfirmuar edhe drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në këtë qark.

Por ndryshe nga fermerët që kanë hedhur edhe dyshimet për efektin e drogës tek bletët, specialisti i Bletëve, Kujtim Gjoni deklaron se zhdukja e një përqindjeje të lartë të bletëve ka ardhur nga sëmundjet dhe dimri i acartë.


Në qarkun e Elbasanit për vitin 2016 janë regjistruar 28 mijë familje me bletë dhe nga një konstatim paraprak mësohet se 25% e tyre janë zhdukur duke shkaktuar një dëm të madh për mbarështuesit e bletëve dhe për konsumatorët e mjaltit.

“Dëmi që është shkaktuar këtë vit është më i madh se vitet e tjera, ka raste që janë shuar fare por efektivisht njihet që ka një dëm kolosal, Librazhdi sivjet”, u shpreh një nga bletërritësit.  

“Sivjet kemi pasur një dëm shumë të madh që na kanë ngordhur bletët që ikin nga zgjojet dhe nuk kthehen më, ne mjekimet ia kemi bërë të gjitha vetë dhe mendimi im që bletët nuk kthehen më është se mali është mbushur me drogë, sepse droga i çorienton bletët dhe nuk kthehen më në koshere”, tha një tjetër bletërritës.

Specialisti i bletëve: Shkak sëmundjet dhe dimri i acartë

Bletërritës nga zona e Çermenikës dhe e Sopotit të Librazhdit kanë humbur disa familje bletësh që mbarështonin prej shumë vitesh. Ata dyshojnë se shkak për zhdukjen e bletës janë bërë medikamentet pse jo edhe droga që sipas tyre është mbjellë nëpër male duke hutuar bletën për të mos u kthyer në koshere.

“Për sa i përket shkallës së dëmtimit, dihet që këtë vit ishte një dimër i ashpër dhe ndikoi në humbjen e bletëve por nuk ka qenë ky faktori bazë, një nga arsyet bazë që patëm humbje gjatë periudhës së dimrit ishte problemi i sëmundjes së variotrozës dhe pati një shkallë dëmtimi të konsiderueshme gjatë periudhës së dimrit. Ndikimi që mund të kenë bletët nga kanabisi nuk ka një bazë shkencore”, u shpreh Kujtim Gjoni, specialist i bletëve.

Ndërkohë sa i përket medikamenteve të akuzuara si jo të efektshme, specialisti thotë se ato janë përdorur edhe më parë nga fermerët por dëmet më të mëdha janë regjistruar këtë dimër. Ai këshillon bletërritësit të bëjnë trajtimet e nevojshme dhe të fillojnë zëvendësimin e bletëve të humbura. Sa për prodhimin e mjaltit këtë vit, Gjoni thotë se do të ketë rënie./Report TV

Login to post comments
back to top