Skenari për të vrarë Bashën...dhe heshtja përballë eliminimit të liderit të opozitës!

Skenari për të vrarë Bashën...dhe heshtja përballë eliminimit të liderit të opozitës!

Në mesin e zhvillimeve të shumta politike dhe të kronikës së zezë në Shqipëri, lajmi për një atentat të mundshëm ndaj liderit të opozitës Lulzim Basha i përfolur në media gjatë ditës së djeshme, nuk ka ngjallur reagimet e pritshme.

 Asnjë zyrtar nuk është prononcuar publikisht në lidhje me këtë lajm që nëse rezulton i vërtetë përbën një kërcënim serioz për jetën e kryetarit të Partisë Demokratike. E njëjta heshtje është edhe nga vetë Lulzim Basha i cili vijon të jetë i pranishëm në cadrën e protestës para kryeministrisë, duke mbajtur fjalime e takime me protestuesit e mbledhur atje.

Blendi Fevziu shkruante se kishte marrë informacione nga një burim konfidencial në nga një prej vendeve fqinjë “se në ditët e fundit, pa e përcaktuar ekzaktësisht kur, shërbime të specializuara të sigurisë ishin informuar se ndaj kreut të opozitës shqiptare po organizohej një atentat për eliminim e tij fizik. Po sipas të njëjtit burim, atentati synonte destabilizimin e situatës politike në vend dhe me gjasë, ishte organizuar diku jashtë Shqipërie”.

Sipas tij ky informacion ka mbërritur edhe në duart e autoriteteve të sigurisë shqiptare, e konfirmuar kjo edhe nga Presidenca shqiptare.  Fevziu shkruante se burimi në fjalë, ka sqaruar se në infoamcionin e përcjellë Shqipërisë nga jashtë, flitet edhe për emra konkretë se kush janë personat e kontaktuar për të realizuar atentatin ndaj Lulzim Bashës.

Personi më i përfolur dhe më rrezikshëm është një individ me rekorde kriminale, vrasës me pagesë, që jeton jashtë Shqipërie dhe që ka vënë edhe një herë tjetër në gadishmëri policinë shqiptare në vitit 2011 pas një informacioni se donte të godiste një tjetër politikan të rëndësishëm të saj kohe në Tiranë”, - shkruante Fevziu në Opinion.al.

Dy ditë më parë kreu i Shhërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika ka pasur një takim urgjent me Presidentin e Republikës dhe më pas me Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafa dhe Kryeministrin Edi Rama. Kreu i SHISH u ka vënë në dispozicion atyre të gjithë informacionin e marrë, duke përmendur edhe emra konkretë të personave të përfolur si ekzekutues të skenarit.

Burime për Express thonë se autoritetet shqiptare e kanë ndarë informacionin e marrë me partnerë në disa vende të Europës.

Ajo që është fakt deri më tani, ështe se masat e sigurisë ndaj liderit demokrat Basha janë shtuar, jo vetëm me polici private, por edhe me efektivë të Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Express u interesua pranë Gardës për të mësuar arsyet e shtimit të punonjësve që ruajnë Bashën dhe familjen e tij, por teksa u pohua si fakt, burime zyrtare nga ky institucion thanë se masat janë normale dhe janë shtuar pë efekt të fushatës elektorale. Edhe pse nuk ka nisur zyrtarisht, me fushatë elektorale Garda i referohet regjistrimit të forcave politike në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit 2017. Edhe pse Basha dhe aleatët e djathtë nuk janë regjistruar në KQZ si forca politike për të garuar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, nga Garda thuhet se masat janë të përcaktuara në ligj.

Por me bërjen publike të këtij lajmi edhe Policia e Shtetit duket se është vënë në lëvizje. Numri dy i Policisë së Shtetit Altin Qato i pyetur nga media për këtë rast, as e ka pohuar, por as nuk e ka mohuar një kërcënim të mundshëm ndaj Bashës, duke deklaruar se do ketë një tjetër komunikim publik për të sqaruar informacionet për atentatin e përfolur ndaj Bashës. 

“Mund të kemi një deklaratë më vonë për këtë”, tha Qato.

Por deri më tani, ende asgjë...

Login to post comments
back to top