PD sulmon ambasadoren e BE-së: Po dezinformon dhe është e njëanshme

PD sulmon ambasadoren e BE-së: Po dezinformon dhe është e njëanshme

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me takimin që ambasadori i OSBE-së, i BE-së dhe i SHBA-së, kishin me partitë e vogla ditën e sotme.

Në një njoftim për mediat, PD-ja thotë se në këtë takim ambasadorja e BE-së në Tiranë  Romana Vlahutin, është shprehur se Partia Demokratike gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë ditën e martë, nuk pranoi propozimet e tyre dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.

 “Partia Demokratike konstaton me keqardhje të thellë se ky është një shtrembërim total i të vërtetës, dhe fshehje e fakteve.

 Pas paraqitjes të propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, Partia Demokratike në emër të Opozitës së Bashkuar paraqiti një kundër-propozim me 3 pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve:

 1. Ofertën që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.

 2. Përsa i përket datës së zgjedhjeve, oferta e PD ishte që të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës.

 3. Partia Demokratike rikonfirmoi qendrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi.

 Pas paraqitjes së kësaj oferte për kompromis, Partia Demokratike u informua se Edi Rama e refuzoi këtë ofertë, duke cuar në përfundimin pa sukses të përpjekjes për ndërmjetësim.

 Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.”, thuhet në njoftimin për mediat. 

Login to post comments
back to top