Basha:Vetëm qeveri teknike

Basha:Vetëm qeveri teknike

Nisi më 18 shkurt si një protestë që më tej u stacionua në një çadër të ngritur mes kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit në bulevardin qendror të Tiranës “Dëshmorët e Kombit”. Sot protesta e opozitës përmes së cilës kërkohet rrëzimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie teknike, shënon plot 2 muaj.

Lideri demokrat Lulzim Basha e quajti protestën një mision fisnik që sipas tij i ka zbardhur faqen Shqipërisë edhe përballë ndërkombëtarëve.

Duke ju referuar muajit Prill, dhe ditëve me shi që kanë nisur në ato që njihen si “Plakat e Prillit”, kryetari i Partisë Demokratike la të kuptohet se protesta do të vijojë gjatë, ndoshta edhe pas ikjes së “Plakave të Prillit.

“Nuk ka prill pa plaka. Por do ikin edhe plakat e prillit. Ajo që nuk do të ikë dhe do të bëhet më e fortë çdo ditë, është bashkimi i shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha lideri demokrat gjatë fjalës së tij para mbështetësve në "Çadrën e Lirisë”, siç është ‘pagëzuar’ çadra e protestës.

Basha këmbënguli edhe njëherë se standardet evropiane mund të vendosen vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe balancat mes pushteteve. 

Ai i bëri edhe njëherë thirrje kryeministrit Edi Rama të lëshojë karrigen e pushtetit dhe të dalë para popullit me program si kryetar i Partisë Socialiste. Por sipas Bashës, Rama në këtë sfidë, ndihet i frikësuar.

"Duhet vetëm një qeveri teknike e cila do të kryejë detyrat e ngarkuara nga populli. Rama refuzon ti japë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nga se ka frikë, të largohet nga karrigia e pushtetit? Se aty ka lidhur fatin e tij politik. Ka frikë të dalë para popullit si drejtues i partisë politike me programin e tij. Dil para popullit i zhveshur nga pushteti abuziv i kryeministrit. Ti thua Basha s’ka as program, ti ike të gjitha, liroje pra karrigen”, u shpreh kryeopozitari Lulzim Basha. 

Login to post comments
back to top