Kur Enver Hoxha shkonte në Beograd me këpucët gjithë llucë

Kur Enver Hoxha shkonte në Beograd me këpucët gjithë llucë

Dy shefa misionesh në Tiranë, ai i BS dhe i Jugosllavisë, “eglendisen” dhe me histori ekzotike, ku personazhet janë të rangut të lartë. Lideri shqiptar Enver Hoxha i kushton një kapitull të tërë në librin “Titistët” një vizite që ka bërë nga 23 qershori gjer më 2 korrik 1946, një krye të një delegacioni qeveritar me “ftesën e papritur të Titos”.

Po ashtu edhe në arkivat sekrete ruse të politikës së jashtme është desekretuar dhe një dokument për ngjarjen e mësipërme.

Më 5 korrik 1946, i dërguari sovjetik në Shqipëri, D. Çuvahin, ka raportuar në Moskë për një bisedë që ka bërë me ambasadorin jugosllav në Tiranë, Josip Gjergjia në vitet 1945-1946. Sipas dokumentit me siglën “Sekret”, Çuvahini i ka “bërë një vizitë Gjergjias me iniciativën e vet.

Ai sapo ishte kthyer nga Beogradi, ku kishte shkuar bashkë me delegacionin qeveritar shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha”. Ambasadori sovjetik thotë se i ishte lutur kolegut jugosllav, një shqipfolës nga Zara e Kroacisë, t’i tregonte për përshtypjet e tij nga udhëtimi i shqiptarëve në Beograd. Pasi, jo vetëm shoqëronte delegacionin qeveritar të Tiranës, por ishte dhe përkthyes i bisedave tête-à-tête midis Titos dhe Hoxhës

Kjo vizitë ka dhe episode pikante, që janë gjah i preferuar dhe për tabloide me lajme nga “high life”. Autori i “Titistëve” ka ndjenjën e humorit në faqe të veçanta të librit.

“GRAND UNIFORMA”
Enver Hoxha tregon se për këtë vizitë i “mungonte uniforma e duhur e gjeneralit”. Lideri 38-vjeçar donte të shkonte civil, por bashkëpunëtorët ngulnin këmbë se duhej të kishte me vete edhe uniformën ushtarake të gjeneralit, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, një “grand uniformë”.

“Prandaj duhej të sajonim një, që nga këpucët lustrina deri te kapelja me lulka. Mirë këpucët i bëmë, i bëmë dhe pantallonat blu me shirit të gjerë të kuq, por duhej gjetur xhaketa, kësaj si i bëhej halli!” Thirri Sokolovin, atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë, dhe i tregoi hallin. Sokolovi i dha një copë të paprerë ushtarake. Kështu u rregullua edhe çështja e “grand uniformës”, tregon Hoxha.

“TORTURA” E LLUCËS
Gjatë vizitës në Jugosllavi i ndodhi që këpucët lustrina dhe rrethi i këmbëve të pantallonave t’i bëheshin pis me llucë. Dhe më e keqja do të shkonte në pritje të madhe ku ishte mbledhur elita e Beogradit me veshje luksoze. “Kur hodha sytë e i pashë në të hyrë të salloneve, ku gumëzhinin njerëzit... u skuqa nga turpi.

Nuk kisha ç’bëja, vetëm nuk duhej të lëvizja shumë... Duhej t’i hiqja këmbët zvarrë, që të mos më dukeshin thembrat e këpucëve. Dhe kështu bëra. Por provova një torturë të vërtetë”, tregon autori i librit. “Mirë që sytë e të gjithëve drejtoheshin nga mareshali”, Tito.

Login to post comments
back to top