Koço Kokëdhima flet për pabesitë e Ramës ndaj Metës

Koço Kokëdhima flet për pabesitë e Ramës ndaj Metës

Drejtuesi i Lëvizjes ZGJIDHJA në PS, Koço Kokëdhima, në një intervistë për televizionin  “News 24” foli për ndërmjetësimin që bëri për arritjen e marrëveshjes PS-LSI më 1 prill 2013, si e majta nuk kishte arritur të bëhej bashkë në sfidat e mëparshme, për shkak të urrejtjes së PS-së ndaj LSI-së dhe mungonte besimi mes palëve.

Kokëdhima akuzoi Ramën për këtë klimë që ishte mes dy partnerëve, por edhe për afrimin e PDIU-së në koalicion, për të bërë diversion ndaj LSI-së. Ai tha se koalicioni ka patur shumë probleme dhe si meritë më të madhe ka patur reformën territoriale të vendit.

Lidhur me vazhdimin e koalicionit PS-LSI, Kokëdhima tha se problemi kryesor që ka vendi sot është kriza politike. Ndërsa i cilësoi raportet aktuale mes PS dhe LSI shumë të dobëta. Sipas tij është shkatërruar çdo vlerë besimi mes palëve.

Sipas drejtuesit të lëvizjes “Zgjidhja”, Rama po e çon në humnerë e humbje të pashmangshme PS-në jo në dekada, por në muajt që do të vijnë dhe kjo vjen nga rruga e pabesive, e intrigave, e përçarjeve që ka lidershipi i PS-së.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të Koço Kokëdhimës:

Z. Kokëdhima, si e kujtoni marrëveshjen e 1 prillit 2013 mes PS dhe LSI?

Unë jam i majtë nga familja, nga historia, nga bindjet dhe nga gjithë veprimtaria ime gjithë jetën. Në 2005-n bëra shumë përpjekje që e majta të mos përçahej dhe ajo përçarja çoi atje në atë rezultat që e dinë të gjithë kur e majta iku nga pushteti dhe erdhi Berisha pas gjithë atij rrënimi që i bëri institucioneve të shtetit dhe gjithë atyre viktimave që u shkaktuan me ngjarjet  e ’97-s. Në 2007-ën kam qenë përsëri iniciator për marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet vendore. Një marrëveshje që funksionoi mirë derisa u mor rezultati dhe pastaj u prish, sepse prioriteti i lidershipit të Partisë Socialiste nuk ishte krijimi i një të majte të bashkuar funksionale dhe afatgjatë, por ishin prioritete të tjera. Në vitin 2009 unë kam punuar shumë për të realizuar koalicionin paraelektoral mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka qenë një stërmundim shumë i madh dhe i pasuksesshëm, sepse lidershipi i Partisë Socialiste kishte përsëri një prioritet më të lartë sesa garancia e të majtës së bashkuar për të ardhur në pushtet. Kishte më shumë interes për pushtetin personal sesa atë të së majtës dhe e refuzoi gatishmërinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim deri ditën e fundit, duke menduar se do t’i fitonte zgjedhjet vetë. Kam pasur bindjen që ato zgjedhje nuk mund t’i fitonte dhe ia kam thënë që ju nuk do i fitoni dot zgjedhjet vetëm. Ato këshilltarët e huaj kishin mendimin se do të fitonte nga 71 deri në 75 karrige në parlament vetëm, por e vërteta doli ndryshe. Në 2011-ën i kërkova Ramës t’ia mbante derën hapur Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Ilir Metës dhe mos t’ia mbyllte, sepse kisha besimin e plotë dhe bindjen se do t’i duhej Partisë Socialiste bashkimi i së majtës.  Nuk ndodhi kjo gjë dhe u ndoq një tjetër rrugë, ajo e armiqësisë ekstreme me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe me Ilir Metën. Në 2013-ën kam punuar një kohë shumë të gjatë dhe me një stërmundim të madh për të realizuar koalicionin që do të fitonte zgjedhjet e 2013-ës. Dhe në një pikëpamje të caktuar nuk e kam fare as për mungesë modestie dhe as për ndonjë vlerësim kushedi se çfarë. Kam qenë garant i atij bashkimi, i asaj marrëveshjeje, e cila kishte aq shumë vështirësi për shkak se besimi i palëve nuk ekzistonte. Kishte shumë vështirësi të bëhej ajo marrëveshje. Më kujtohet shumë mirë se në lidershipin e Partisë Socialiste kishte një urrejtje dhe armiqësi të pashembullt për lidershipin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe mendonin se do relativizoheshin shumë nëse ky bashkim i së majtës do të bëhej. Kështu që, pavarësisht të gjitha këtyre gjërave, ajo funksionoi dhe ai ishte një bashkim që mori një mbështetje të madhe popullore dhe u certifikua me një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013. Tani, për ecurinë e këtij koalicioni sigurisht që mund të shikohen edhe anët pozitive, edhe punët, edhe mangësitë. Padyshim që ky koalicion ka bërë edhe punë të mira e të vlefshme. Puna më e bukur që mendoj unë se bëri ky koalicion është reforma territoriale. Ishte një reformë me të vërtetë e dobishme dhe interesante. Por, në 4 vitet e veta ky koalicion nuk krijoi institucione të së majtës së bashkuar, nuk krijoi standarde të përbashkëta për qeverisje, nuk ndërtoi atë komunikim dhe atë bashkëpunim që do të duhet të kishin dy aleatë strategjikë, siç thotë lidershipi i Partisë Socialiste, që kemi një koalicion strategjik.Praktika e këtyre 4 viteve ishte një praktikë e gërryerjes së koalicionit. Mund të them pa ekzagjerim se marrëdhënia në koalicionin e të majtës është shumë e dobët, është shkatërruar gati çdo vlerë besimi e ndërsjellë.

Çfarë ndodh kur shkatërrohet vlerat e besimit të ndërsjellë, nisur nga analiza që bëtë? A ka më baza që ky koalicion të vazhdojë edhe për 4 vitet e ardhshëm? Këtu do të doja të ndalesha te pika e 15 e marrëveshjes së shkruar 4 vite më parë, e cila thotë: një objektivë madhore e anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda harkut kohor të dy mandateve qeverisje, ku iu janë bashkuar shumica e shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, ne do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar. Pra, preambula është se parashikohet në këtë plan të marrëveshje bashkëpunimi edhe një mandat tjetër qeverisje. Njërin e kemi lënë pas, tjetri duhet të vijë. Besoni se kjo do të ndodhë?

Koalicioni nuk u pa si një mundësi për të rritur cilësinë e qeverisjes. Nuk u pa si një mundësi për të rritur kredibilitetin e Partisë Socialiste, as për të rritur, përmes këtij koalicioni efektiv të supozuar,impaktin e ndikimit të saj elektoral dhe pozitën elektorale në treg. Koalicionet, z. Rama i shikon vetëm si instrumente për të garantuar karrigen dhe pushtetin e tij personal, nga gërryerja e pozitës elektorale të Partisë Socialiste. Edhe po të shohim që në vitin 2016, në fillim të këtij viti, por që më herët, ndoshta edhe nga mesi i vitit 2015 kishte filluar, heshturazi dhe pa u artikuluar të përfshihej PDIU-ja në koalicionin e të majtës. Kjo përfshirje nuk ishte diçka e natyrshme, sepse e majta kishte 85 vota dhe nuk sillte ndonjë gjë të re me 4 vota të tjera.

Pse u pranua PDIU në koalicion?

PDIU u pranua në koalicion dhe për kulturën diversive që ka lidershipi i Partisë Socialiste edhe në koalicion, edhe në parti.

Diversion edhe ndaj Ilir Metës, thoni?

Diversive ndaj aleatëve, diversion ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe rikuperim duke importuar nga jashtë të gjithë erozionin që ai zhvilloi në Partinë Socialiste. Partia Socialiste ka kaluar në këto 4 vite në një gjendje më kritike në vetë historinë e saj. Edi Rama mori një Parti Socialiste të mirëfilltë politike të organizuar në 2005-ën dhe sot ka një bashkësi parapolitike, të zhytur në kaos ideologjik, politik, kulturor dhe organizativ, e cila ka pozita elektorale shumë më të dobëta se sa në vitin 2013 sepse Partia Socialiste nuk i ka justifikuar shpresat e elektoratit. Partia Socialiste është arratisur nga shinat e së majtës dhe ka zhvilluar politika,që vetëm me të majtën nuk kanë asnjë pikë lidhje. Kështu që, për të kompensuar këtë rënie të pozitës elektorale të Partisë Socialiste përdoren këto marifete politike. Edhe teoria që marrja e PDIU-së në koalicion u bë për të ndihmuar çështjen çame, nuk është e  drejtë, nuk është e vërtetë. Unë mendoj se sigurisht që PDIU-ja, kur është në pushtet, ka më shumë mundësi qëtë ndikojë për çështjen çame dhe kjo është diçka e logjikshme, por unë flas për anën e shumicës, nuk flas për PDIU-në që mbron çështjen çame. Nuk kam as një paragjykim për PDIU që mbron çështjen çame, por po të shikojmë se si qeveria jonë e ka trajtuar çështjen çame edhe gjatë këtij viti që ka në koalicion PDIU, më shumë i ka bërë dëm çështjes çame se sa e ka ndihmuar atë. Çështja çame nuk mund të zgjidhet me ato qasje diplomatike, politike dhe etike, siç i ka zhvilluar praktikisht qeveria jonë, kryetari i partisë sonë. Nuk zgjidhet çështja çame me atë gjuhë dhe me atë nivel bashkëpunimi me Greqinë. Çështja çame do tëzgjidhet duke e forcuar bashkëpunimin me grekët dhe institucionet e tjera europiane dhe jo duke krijuar një situatë të panevojshme, e cila, jo vetëm që nuk e përparon çështjen çame, por i krijon aq shumë probleme dhe një milion shqiptarëve që janë atje dhe që të gjithë e dinë dhe e kuptojnë shumë mirë këtë gjë.

Kokëdhima kur bëni analizën e funksionimit të Aleancës për Shqipërinë Europiane deri në 4 vitet e fundit, flisni për një aleancë që ka problemin më të madh, që zakonisht minon bashkëpunimin politik, që është kriza e besimit. Sot kam përshtypjen se nuk keni një komunikim besoj më me z. Rama, por keni një komunikim me z. Meta. Si këshilltar dhe komunikues i tij, çfarë do i këshillonit, z. Meta: të vazhdonte të qëndronte në këtë koalicion apo ta rishikonte dhe të dilte më vete?

Unë flas edhe me z. Meta dhe me gjithë të tjerët nga pozitat e interesit të Partisë Socialiste dhe të bazës socialiste, nga pozita e interesave të qytetarëve të Shqipërisë. Unë edhe sot këtu jam për t’i ftuar militantët e Partisë Socialiste që të kuptojnë se problemi ynë kryesor është gjendja politike e Partisë Socialiste, është situata e saj politike, organizative, kulturore dhe elektorale dhe në qoftë se ne nuk i kuptojmë se si zhvillohen këto fenomene, atëherë do ta shikojmë se z. Rama do e çojë në humnerë dhe në humbje të thellë Partia Socialiste. Nuk flas për dekadat e ardhshme, por po flas për muajt e ardhshëm. Kjo rrugë, rruga e përçarjes së partisë, rruga e intrigave, e thashethemeve, e pabesive, rruga që të gjithë i vëmë në luftë kundër të gjithëve, qëtë mos lemë dy gurë bashkë as në parti dhe as në koalicionin e majtë dhe as në bashkimin e majtë. Kjo është një rrugë që e  çon në humbje të sigurt Partinë Socialiste. Prandaj i kam bërë thirrje lidershipit të Partisë Socialiste, i kam bërë thirrje militantëve të majtë dhe të Partisë Socialiste që të mblidhemi bashkë në një kongres të jashtëzakonshëm, të themi të vërtetat hapur. Të tregojmë se ky kurs e çon Partisë Socialiste në dështim, ky kurs që ndjek Edi Rama. Dhe ne na duhet që më parë të bëjmë koalicion brenda Partisë Socialiste, të bashkohemi brenda Partisë Socialiste, të rishikojmë totalisht rrugën e ndjekur dhe të vendosim institucionet, demokracinë e brendshme, rregullin, kulturën dhe bashkëpunimin.

Kam përshtypjen që ky është një projekt afatgjatë, zoti Kokëdhima dhe nuk bëhet dy ose një muaj para zgjedhjeve. Nëse ju mendoni që e majta është në rrezik me rrugën që ndjek PS-ja, si mund të zgjidhet, si duhet të zgjidhet dhe çfarë ndodh brenda koalicionit dhe si do të vazhdojë koalicioni para dhe pas 18 qershorit?

Sot për mua dy çështje janë më prioritare se sa të diskutojmë si do të shkojë e ardhmja me LSI-në. Së pari është gjendja e përgjithshme e PS-së dhe problematikat e mëdha me të cilat ajo përballet tani. Në përgjithësi, pa e merituar këtë pozicion, por për shkak të budallallëqeve të lidershipit të PS-së, të drejtimit komplet amatoresk dhe autoritarist të kësaj partie ne sot kemi nevojë të rishikojmë në mënyrë imediate, të thellë, të plotë, të sinqertë gjendjen politike të PS-së dhe të marrim masa për korrigjimin dhe bashkimin e të gjithë faktorëve në PS. Nuk mund të shkojë PS-ja në beteja elektorale dhe të fitojë me të punësuarit e kryeministrit.Duhet të shkojë me të gjitha burimet e veta të bashkuara, me të gjithë ata socialistë që kanë 4 vjet që i kanë lënë rrugëve, ato socialistë që nuk i kanë dëgjuar kurrë, nuk i kanë pyetur kurrë, me të gjithë ata socialistë të vërtetë të bazës dhe t’u japë të drejtë përfaqësimi dhe shprehjeje të gjithë këtyre njerëzve për të ndërtuar një situatë bashkëpunimi dhenjë bashkim të sinqertë. Pa u bërë këto gjëra në PS është e kotë të flasim. Çështja e dytë është kjo; që sot të diskutojmë për koalicionin me LSI-në nuk bën sens kur ne kemi këtë krizë dhe e kemi opozitën në rrugë, sepse zgjedhjet nuk janë zgjedhje që i bëjmë ne me LSI-në, nuk do të bëjmë zgjedhje si në pluralizmin e Ramizit. Ato zgjedhje do të bëjë Rama?!Pluralizmin e Ramizit, që do i bëjë me ato të emëruarit e vetë, do i nxjerrë ca nga ato kukullat e veta dhe do i vërë përballë dhe thotë do të bëjë zgjedhje?! Zgjedhjet do të bëhen vetëm me opozitën.Zgjedhje pa opozitën nuk ka.

Opozita kërkon qeveri teknike…

Nuk ka rëndësi fare. Ky është një ligj që nuk mund t’i ikim asnjëherë dhe nëse Edi Rama sot e injoron këtë që them unë, është thjeshtë duke lënë pa vizion PS-në, pa strategji, pa qartësi…

Mendoni se zoti Rama duhet ta marrë parasysh këtë?

Unë në mënyrë konkrete nuk thashë të marrë këtë apo atë parasysh. Po them që të mos thotë deklarata të papërgjegjshme të cilat nuk ndihmojnë askënd, por vetëm krijojnë më shumë errësirë, më shumë kaos, më shumë mjegull, por të jetë i përgjegjshëm dhe ta kuptojë që zgjedhje pa opozitën nuk ka. Të ulet me opozitën, të bëjë reformën zgjedhore. Nuk mund të thotë asnjë gjë, as Rama dhe as dikush tjetër, se do të shkojë në zgjedhje pa reformë zgjedhore.

Ku duhet të fokusohet reforma zgjedhore?

Reforma zgjedhore duhet të prodhojë infrastrukturë dhe standarde zgjedhjesh të lira dhe të ndershme.

Si mund të bëhet kjo në një muaj?

Nuk kemi një muaj, kemi 4 vjet në pushtet. Katër vjet në pushtet janë mjaft për ta bërë këtë gjë. Nëse z.Rama nuk e dinte që këto katër vjet do të mbaronin dhe do të vendim në zgjedhje, ky është problemi i tij, por Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria bën zgjedhje të manipuluara.

Kanë qenë të manipuluara zgjedhjet e 2015-ës, zoti Kokëdhima?

Të gjitha zgjedhjet kanë qenë të deformuara, edhe të 2015-ës, edhe të 2013-ës, edhe 2011-ës dhe çdo palë zgjedhje kanë qenë të deformuara në Shqipëri.I kanë deformuar hajdutëritë dhe mungesa e standardeve, kultura e vjedhjes së zgjedhjeve që u mboll nga Saliu në ’94 dhe ’96 dhe që u përqafua nga e majta pastaj dhe të dyja palët vjedhin dhe deformojnë zgjedhjet.

Zgjedhjet vidhen para se të futen votat në kuti apo pas?

Hapësirat për të bërë manipulime dhe vjedhje janë të pafundme. Ne në 2013-ën patëm raste kur në Finiq, në Vagalat u mbushën kutitë dhe me kuti të numëruara nuk dilte deputet ai zotëria që përfitonte, kështu që u trafikuan vota nga Vlora pastaj që të plotësohej numri.

A blihet vota e shqiptarëve sot e gjithë ditën, zoti Kokëdhima?

Blihet vota, mblidhen kartat, blihen komisionerët, votojnë fikivisht me karta të blera dhe prandaj elementët e sigurisë elektronike janë të domosdoshëm për një proces zgjedhor të besueshëm. Identifikimi elektronik dhe prodhimi i letrës së votimit dhe numërimi elektronik janë gjërat më minimale që duhet të garantohen për një palë zgjedhje të pranueshme.

Kjo mendoni se do ta minimizonte sado pak cenimin e procesit?

Kjo do të zhdukë disa nga problemet e rënda të këtij procesi dhe këtë gjë ne duhet ta bëjmë patjetër. Partia Socialiste ka anëtarësinë më të shkëlqyer në Shqipëri.Socialistët shqiptarë nuk duan vjedhje zgjedhjesh, duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kauza e socialistëve të Shqipërisë dhe e qytetarëve të thjeshtë, nuk është kauza e Saliut, nuk është kauza e Partisë Demokratike. Në këtë pozitë e ka vendosur Edi Rama Partinë Socialiste dhe këtë stafetë ia ka dorëzuar Edi Rama Partisë Demokratike, që ata që mbollën vjedhjen e zgjedhjeve tani të bëhen heronj që do të na çlirojnë nga manipulimi i zgjedhjeve dhe trafikimi.

Ky pretendimi i juaji është i njëjtë si ai i “çadrës”…

Unë e kam kauzë jete këtë çështje.Kurrë nuk jam përfshirë dhe kurrë nuk kam pranuar prekjen e një vote dhe atje ku kam drejtuar unë, pyesni opozitën, pyesni qytetarët, kam luftuar për të mbrojtur pastërtinë e procesit të zgjedhjeve në mënyrë shembullore dhe të paarritshme.

Flasim pak për “Zgjidhjen”. Çfarë është “Zgjidhja”?Është një parti që do të futet në zgjedhjet e 2017, në 18 qershor?

Ai borizani i Ramës, që e paguan Rama…

Meqë jemi këtu. Kam një informacion sikur ju do të garoni i dyti në Vlorë në siglën e LSI-së. Ky është një informacion, pyetja ime e thjeshtuar është, a do të ketë një koalicion “Zgjidhja” me LSI-në?

Ky borizani i paguar i Ramës, Mero Baze, ky është bori e paguar, bori që këndon kur paguhet nga Rama, kishte publikuar sot që Kokëdhima do të vihet në listën e LSI-së. Është strategjia e Ramës që donte ta zhdukte debatin për reformimimin e PS-së, donte ta eliminonte që në fillim. Ju e patë se si më shkarkoi mua nga të gjitha funksionet në Asamblenë Kombëtare të PS-së pa bërë asnjë vendim. Nuk ka asnjëfarë vendimi se nuk ka çfarë të shkruajë, pa asnjë procedurë, pa asnjë rregull, nuk ndodh askund. Ish-kryeministri francez, Manuel Vals, deklaroi që unë do të votoj kundërshtarin, e as nuk imagjinohet të thotë dikush unë do e përjashtojë nga partia atë ose do ta shkarkojmë nga të gjitha funksionet në parti. Por këtu ndodh.Nuk ka mbetur asnjë vlerë demokratike në PS.

Çfarë do të bëjë ‘Zgjidhja”, do të futet si parti?

Nuk shkon “Zgjidhja” në ato ujëra që mendon Edi Rama dhe unë nuk do të shkoj as te LSI-ja, as në ndonjë vend tjetër. Unë jam socialist, ai ka importuar ato rilindësit e tij që nuk kanë lidhje me bazën e majtë dhe mendon të vërë në dyshim qenien time apo të gjitha atyre që janë bashkuar tek “Zgjidhja” si socialistë të vendosur për ta shpëtuar PS-në nga humnera ku kërkon ta çojë ky zotëria. Ajo është një shpifje dhe intrigë e mirëfilltë. Unë nuk do të vendos emrin tim në asnjë parti tjetër.

 A do të marrë trajtën e partisë “Zgjidhja”?

“Zgjidhja” sot është një lëvizje politike, e cila ka insistuar dhe insiston qëtë demokratizojë PS-në, të bëjë hapjen e PS-së, të instalojë atje pranimin e mendimit ndryshe.

Edhe LSI ashtu e nisi. A jemi në të njëjtat kushte?

Ne do të bëjmë përpjekjet tona deri në fund, edhe gjatë këtij muaji, deri në 29 prill që është Kongresi i PS-së do të bëjmë përpjekjet tona për ta reformuar PS-në, pastaj vendos anëtarësia e “Zgjidhjes”.Ata janë dhjetëra mijë anëtarë të majtë, që vetëm Edi Rama nuk i shikon dhe nuk e di se kush është “Zgjidhja”, kur gjithë populli e di kush është “Zgjidhja”.Vetëm ai mbreti lakuriq nuk shikon, vetëm ai nuk kupton se çfarë bëhet këtu. Nëse Kongresi i PS-së nuk do të pranojë platformën e “Zgjidhjes” atëherë “Zgjidhja” do të vendos se si do t’i përfaqësojë gjithë ata mijëra njerëz. Është anëtarësia e “Zgjidhjes” që do e marrë këtë vendim për përfaqësimin dhe shprehjen politike të këtyre dhjetëra mijë anëtarëve të saj.

Login to post comments
back to top