Intervista/ Bujar Nishani: Ja pse Ilir Meta mund të jetë President …..

Intervista/ Bujar Nishani: Ja pse Ilir Meta mund të jetë President …..

Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24” ka komentuar sot zhvillimet politike në vend, përplasjet e tij me mazhorancën si edhe debatin me Visar Zhitin.

Jemi në një kohë dhe fazë kaotike. Sot është data 1 prill, 4 vite nga marrëveshja e koalicionit, ndërkohë që aktualiteti politik ka mjaft zhvillime. Jemi dy muaj para zgjedhjeve. Si do e cilësonit situatën? Duket që palët nuk po lëshojnë pe dhe ajo që duket e sigurtë është se nuk ka një strategji për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme.

Situata është shumë e tensionuar, në kuptimin politik të fjalës marrëdheniet ndërinstitucionale janë goxha të vendosura në një ngërç edhe komunikativ jo vetëm të aspektit funksional. E kam fjalën te parlamenti por edhe te marrëdhëniet ndërpartiake sepse në fund të fundit partitë politike kryesore parlamentare,  janë aktorë vendimarrës në proceset e rëndësishme të vendit. Kjo situatë politike kaq e tensionuar nuk po duket të ketë ndonjë reagim përsa i takon angazhimit për të gjetur një proces, që mund të mos mbyllet brenda një dite por një proces që të fillojë ta ç’tensionojë situatën dhe ta adresojë pjesën e komunikimit ndërpartiak dhe të faktorëve kryesorë politikë në rrugën e duhur. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, jam i gatshëm si president i Republikës dhe vazhdoj të nxis edhe në qëndrimet e mia institucionale edhe publike interesin më të mirë të vend. Që do të thotë edhe në mënyrë indirekte interesi i partive politike, i aktorëve politike. Ulja në bisedime, qëndrimi në kontakt me njëri tjetrin, pavarësisht objektivave që kanë, synimeve politike që kanë, duhet të ketë një proces komunikativ mes partive, duhet të ketë negociata, në mënyrë që të vendoset në bazë të këtyre negociatave standardi kryesisht për zgjedhjet.

Përtej negociatave aq shumë të përfolura përsëri duket sikur diçka çedon. Ju si kryetar i Shtetit a mendoni se duhet thirrur një tryezë për palët?

Ne duhet të jemi realistë, padyshim që insitucioni i Presidentit dhe unë janë përpjekur që me qëndrimet dhe sjelljen institucionale ta mbajë në gatishmëri të plotë institucionin e e Presidentit. Për të lehtësuar komunikimin mes palëve politike, por President i Republikës nuk mund të imponojë asnjë prej palëve politike. Kushdo që mund të mendojë apo mund të pretendojë se Presidenti mund të imponojë palët politike është jashtë ralitetit dhe është thjesht spekulim dhe abuzim. Mund të thërrasë presidenti por mund ta bëjë këtë nëse palët janë të gatshme që t’i përgjigjen thirrjes se Presidentit, sepse në fund të fundit imazhi i Presidentit të Republikës nuk mund të cënohet nga një dialog apo thirrje pa një produkt, për më tepër që ne kemi një eksperiencë jo pozitive kohët e fundit, kur është bojkotuar pa argument edhe tryeza shtetërore si ajo e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga ana e Kryeministrit të vendit, çka nuk ka bërë vaki në të shkuarën gjithsesi këto le t’i takojnë të shkuarës. Presidenti i Republikës është tërësisht i gatshëm, nëse vërtet ka një vullnet dhe vullneti duhet të demostrohet patjetër që nuk do të mungojnë edhe komunikimet edhe gatishmëria edhe në rrugë zyrtare ndaj palëve politike për t’u ulur në tryezën e tyre, me praninë ose jo të Presidentit të Republikes por institucioni i Presidentit është i gatshëm që të ushtrojë të gjithë mundësitë e tij, të gjithë ndikimet e tij, edhe autoritetin institucional e kushtetues, jo vetëm për të legjitimuar, por për t’i dhënë edhe mburojën dhe legjitimitetin kushtetues palëve për të negociuar dhe për të gjetur dhe një orientim dhe një proces. Flas gjithmonë për një proces, jo për një konkluzion përfundimtar nga takimi sepse nuk mund të kemi konkluzion përfundimtar nga një takim.

Përsa i përket dhe të shkuarës, jo rrallë herë Shqipëria është gjendur në të tilla situata. Kujtojmë vetë ish-Presidentin Moisiu që ka thirrur një tryezë mes palëve. Ju thoni që nuk mund të imponohen partitë politike për të marrë pjesë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje përtej negociatave dhe uljes së palëve në bisedime?

Në çdo rast kur janë ulur palët në të shkuarën në prani të presidentëve, gjithmonë ka qenë gatishmëria e palëve politike për t’u ulur se nëse do mungonte dëshira dhe vullneti politik i një pale, nuk do të realizohej ajo tryezë, dhe kjo situatë mbetet. Ajo që unë shoh, pikërisht shoh si zgjidhje të vetmen dialogun, shoh si zgjidhje të vetme komunikimin. Unë besoj se do të arrihet, sepse historia dhe jo vetem shqiptare, ka treguar se ka qenë një qëndrim i caktuar politik, është dashur ndoshta të paguhet një kosto më e madhe po përsëri është adresuar dhe konkluzioni ka mbetur te ajo që është kërkuar që në fillim, te proceset e kontaktit , te proceset komunikative. Une mendoj se procesi i komunikimit në distancë tashmë është i qartë, por duhet të ketë edhe një komunikim institucional dhe besoj se institucionet e shtetit shqiptar e posedojnë seriozitetin e nevojshëm edhe të gjithë ambjentin e përshtatshëm për të krijuar mundësinë e negocimit edhe të diskutimit edhe të orientimit me procesin e domosdoshëm që duhet të ketë vendi.

Si do t’i përgjigjeshit ju akuzave për një President palë? Ju kanë quajtur President palë të pafuqishëm për të zgjidhur situatën në të cilën ndodhet vendi.

Akuzat janë tjetër dhe mundësia për të zgjidhur një situatë politike është tjetër gjë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Akuzat padyshim që janë akuza politike, akuza që kanë startuar që ditën e parë të zgjedhjes sime si President i Republikës. Nuk janë ndalur asnjëherë janë akuza që asnjëherë nuk kanë patur fakte, prova, as logjikë politike, as njerëzore, nuk kanë qenë të besuara në asnjë argument. Kanë mbetur gjithnjë shabllon i agresivitetit dhe artikulimit shterp politik. Sa i takon procesit për të zgjidhur Presidenti i Republikës, edhe një herë e them se asnjë President nuk ka parë kushtetuta jonë mekanizma që të orientojë palët që të shkojnë në një zgjidhje apo në një zgjidhje tjetër. Institucioni i Presidentit të Republikës është një institucion që garanton seriozitetin dhe konfidencialitetin e bashkëbisedimit dhe të artikulimit në opinionin publik të parimeve dhe adresimive më të mira të mundshme që qetësojnë situatën, largojnë ngërçin, ç’tensionojnë në tërësi ambjentin dhe mbajnë edhe garancinë e realizimit të premtimeve dhe dakordësisë që arrihet.

Prej mbi 40 ditësh opozita ndodhet në çadër. Protesta është shumë pranë zyrës tuaj të Presidencës. Ndërkombëtarët nga ana  tjetër mendojnë se bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës do të pengonte integrimin e vendit. A po bëhet opozita me çadrën pengesë për këtë gjë?

Në kulturën time politike në çdo rast unë nuk kam qenë asnjëherë pro bojkotit si një mjet si një mekanizëm. Edhe kur ka ndodhur në të shkruarën, edhe në çdo rast që ndodh bojkoti padyshim që për mua nuk është mjeti i cili duhet të dominojë jetën tonë politike  Ajo që unë e shoh se si duhet të funksionojë politika në Shqipëri është brenda institucioneve, brenda institucioneve me standarde, brenda institucioneve ku gjithsecili të respektohet të ketë hapesirën e vet që ia ka dhënë pluralizmi, sistemi politik që kemi zgjedhur ia jep kushtetuta, ia jep vota që ka marrë nga qytetarët, por për mua mbetet shqetësim një platformë e përjashtimit. Maxhorancat kurrë nuk duhet të përfshihen në platforma përjashtuese, çdo metodë dhe platformë përjashtuese e adreson politiken, jetën institucionale dhe komunikimin drejt ngërçit. Ne duhet të shkojmë drejt përfshirjes dhe jo përjashtimit.

A duhet PD të marrë pjesë në zgjedhje?

Presidenti nuk bën komente as i gjykon edhe as i paragjykon palët politike. Çdo parti bën zgjedhjen e saj politike edhe është sovrane në zgjedhjen e vet. Presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe në çdo rast do të respektojë atë që kushtetuta apo institucionet e tjera të rëndësishme do t’i kërkojnë institucionit të presidentit për të ndjekur.

A është e mundur që nëse arrihet konsensusi mes palëve, të arrihet dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve?

Ky do të ishte një vendim totalisht në diskrecionin e Kuvendit të Shqipërisë. Shqipëria ka në të shkuarën eksperienca që janë shtyrë datat e zgjedhjeve por edhe në këtë rast unë nuk do të desha të bëja një koment te drejtpërdrejtë. Sepse çështja e shtyrjes së zgjedhjeve është fokusuar tani edhe në aspektin e debatit politik dhe Presidenti nuk mund të futet në mes. Por nëse kuvendi gjykon që për rrethana të caktuara për t’i shërbyer një zgjidhje pozitive dhe një aspekti pozitiv jo për të tensionuar me tej situatën apo të bërë një zgjidhje të njëanshme mendon se mund të shtyjë për një afat të caktuar zgjedhjet që të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor të ketë ndryshime të rëndësishme politike, të bëhen përshtatje në sistemin politik që kemi, ky është një atribut që i takon vetëm partive politike dhe Kuvendit të Shqipërisë, dhe nëse Kuvendi do ta marrë një vendim të tillë patjetër që të gjithë ne të tjerët do të zbatojmë vendimin e kuvendit të Shqipërisë.

A është Shqipëria një vend me standarde?

Ne duhet të jemi të vertëtë, kemi mjaft probleme serioze sa i takon standarteve veçanërisht në çështjet e zgjedhjeve, meqë po diskutojmë për zgjedhjet dhe po hyjmë dalëngadalë në fushatë zgjedhore dhe po afrojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Unë me keqardhje kam parë që edhe institucionet e tjera ndërkombetare përfshirë raportete  OSBE ODIHR e kalojne procesin vlerësimin e Shqipërisë me fraza standarde, gjë të cilat nuk e ndihmojnë evoluimin e proceseve demokratike në Shqipëri. Më shumë se sa e drejta, me shumë se sa dimensioni i lirisë  për qytetarin shqiptar nuk ka vlerë asgjë, as edhe një raport i caktuar etj. Dhe në fund të fundit duhet të ndërgjegjësohet vetë shoqëria shqiptare elita e shoqërisë duhet të prijnë proceset me këmbëngulje, të qëndrojnë fort që ne të vetëdetyrohemi për ta patur këtë dimension. Të lirisë, të së drejtës edhe të garancive. Une mendoj se ne me këto standarde që kemi i kemi krijuar pasiguri të mëdha vetes sot por edhe gjeneratave që vijnë. Na duhet të punojmë fort, për standarde reale.

Sot është 1 prilli, shënohen 4 vite koalicion PS-LSI. Çfarë maxhorance keni parë këto 4 vite?

Të jesh president, është gjë e bukur, përgjegjësi e madhe, por ka edhe kufizimet e saj, që të jesh jo thjesht politikisht korrekt, por të jesh serioz edhe të respektosh detyrimin tënd kushtetues. Ndaj do ishte e tepërt nëse fillon e bën gjykime politike për maxhorancën apo për opozitën. Presidenti duhet të jetë një institucion i ftohtë që të jetë i gatshëm për të ofruar zgjidhjet e veta dhe gatishmëritë për zgjidhje. Unë mendoj që qytetarët shqiptarë janë ata që kanë të drejtën absolute për të vlerësuar si ka punuar një maxhorancë dhe se sa e vërtetë është një opozitë.

Po në lidhje me institucionin e Presidentit, ka patur probleme në komunikim?

Une besoj se ka qenë evidente për fatin e keq, ka qenë evidente edhe publike, edhe unë nuk jam munduar qe të fsheh problemet që ka patur aspketin komunikativ sepse nuk do tregohesha i vërtetë në këtë rast. Ka patur probleme që unë mendoj kanë qenë më së shumti të sforcuara edhe artificiale në këndveshtrimin tim, kanë qenë të imponuara nga institucionet e tjera, për arsyen e vetme se është tentuar një kontroll politike edhe mbi institucionin e presidentit të Republikës por unë besoj se ato janë tejkaluar me qëndrimet që ka mbajtur institucioni.

Çfarë suksesesh mund të njihni të kësaj mazhorance dhe çfarë dështimesh?

Le t’ja lemë qytetarëve për të numëruar edhe sukseset edhe dështimet. Une mendoj se ka patur dëshira, ka pasur objektiva, janë ndërmarrë reforma se si janë realizuar se sa të drejta kanë qenë ato hapa që janë ndërmarrë atë le ta vendosin qytetarët pastaj.

7 ditë të plota kanë pritur qytetarët shqiptarë deri në daljen tuaj në konferencë shtypi përsa i përket dekretimit të ministrave të rinj propozuar nga Rama. I shumëpërfolur ishte emri i Xhafajt. Çfarë përjetime keni pasur? U tha se ju do dilnit duke i thënë Jo dekretimit të tij, por ju bëtë të kundërtën pasi nuk ua linte Kushtetuta

Unë nuk dua që të ushqej edhe të bie pre e skenarëve të thashethemnajës politike që krijohet apo edhe të ushqimit që i jepet thashethemnajës, por me background dhe me synime politike. Unë kam strikt detyrën edhe mundësinë dhe hapësirën dhe procedurën që i takon të ndjekë presidenti i Republikës. Pas ardhjes së propozimeve nga ana e kryeministrit kam kërkuar dhe kam pritur informacionin i institucioneve  që merren me garantimin e standardeve të sigurise së vendit.

Ishin ministra që emëroheshin për herë të parë në detyrë dhe kërkonin që patjetër institucionet e vendit të verifikonin integritetin e tyre në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare.  Dhe ka qenë afati dhe kushteta ndaj e parashikon një afat të tille që presidenti ka pritur të vijnë përgjigjet në lidhje me secilin prej individeve përkates dhe informues. Kanë ardhur ditën që unë kam dalë në konferencën për shtyp. Veç kësaj kam qenë në një shërbim jashtë vendit, por nuk ka qenë i lidhur shërbimi me kohën e konsumuar.

Koha e konsumuar ka qenë vetëm për të verifikuar info në lidhje me secilin prej personave. Une e kam bërë qëndrimin tim publik dhe më duhet të sqaroj edhe një element tjetër, që ka qenë edhe ky një element abuzimi dhe spekulimi. Duke e tentuar ta ndajnë në 2 pjesë qendrimin e Presidentit të Republikës është tentuar të ndahet qëndrimi i presidentit në dekret me qëndrimin e Presidentit në deklaratë. Po ju them që të dyja janë qëndrime presidenciale dhe të parashikuara në kushtetutën e vendit, dekreti është një e drejtë e Presidentit por që kushtetuta nuk ia njeh të drejtën Presidentit për të refuzuar propozimin e kryeministrit për ministra sepse në nenin 92 nuk është i parakshikuar emërimi dhe shkarkimi i ministrit.

Pra e drejta e emërimit të një ministri është e Kryeministrit dhe konfirmimin përfundimtar ia jep parlamenti. Pra dekreti është ushtrim i detyrës së përgjegjësisë që ka Presidenti, deklarata është ushtrim i së drejtës. Kushtetuta ia njeh të drejtën Presidentit t’i adresohet parlamentit në çdo kohë dhe për çdo çështje Presidenti që mendon se është e rëndësishme. Pasi kam bërë dekretimin une i jam adresuar kuvendit në të drejtën që më jep kushtetuta për çështjen e kandidaturës së Ministrit të brendshëm që unë e gjykoja si të papërshtatshme për shkak të rrethanave që asaj dite dhe vazhdojmë të ndodhemi. Pra dekreti ishte një detyrim, deklarata ishte një e drejtë.

Por, përtej konferencës, a ndjeni ju trysni pasi ishin ditë të vështira…

Është shumë e vështirë që sot të demonstrosh se ç’ka brenda qenies njeriu, por po ju them në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë që kam qenë shumë i qetë nuk kam patur asnjë dyzim përveç se pjesës që prisja nga institucionet e shtetit.

Nuk i kam përcjellë vetes as trysninë dhe as presionin. Patjeter që i ndiqja me shumë kujdes zhvillimet politike, opinionet e qytetareve, të njerëzve të medias të gazetarëve të analistëve, por që ditën e parë që kam pranuar të ulem në karrigen e Presidentit të Republikës. Pakti i parë ka qenë pakti me veten dhe pakti me veten është pakti më i vështirë që mund të ketë njeriu por është pakti më i fortë. Ndaj nuk kam patur asnjë presion asnjë komunikim me askënd me asnjë aktor, por ka qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë qëndrimi që unë kam menduar dhe që kam besuar se zbatoj kushtetutën dhe që shpreh edhe mendimin tim politik.

Si rrallëherë në ditën e dekretimit munguan kamerat. Pse munguan kamerat dhe a ka pasur një shtrëngim duarsh mes jush dhe ministrit Xhafaj?

Pa dashur të hyj në debat, që pas ceremonisë së parë kur është betuar e gjithë qeveria, në ceremonitë e tjera në presidencë të pranishme kanë qenë kamerat e presidencës, edhe pjesa e arkivimit të stafit sepse ky është rregull i brendshëm i presidencës në aktivitete te tilla.

Aktiviteti ka qenë tërësisht strikt me çfarë shkruan protokolli i shtetit, dhe presidenti dhe stafi janë të detyruar të ndjekin strikt atë që të shkruar në protokollin e shtetit, dhe mos harrojmë që protokolli i shtetit është ndryshuar pak muaj më parë me një vendim qeverie. Nuk e kam bërë unë ndryshimin e protokollit, ndryshimin e ka bërë qeveria shqiptare e ka bërë Ministria e Jashtme unë kam ndjekur pikë për pikë atë që është shkruar në protokollin e shtetit por po ju them që patjetër në mënyrë në radhë të parë njerëzore por edhe institucionale kam uruar në mënyrë të drejtpërdrejt për sukses edhe punë të gjithë ministrat prezentë. Pastaj si u dha dora, si qëndroi njëri në fotografi dhe si qëndroi tjetri unë besoj se këto nuk janë çështje  të cilat i takojnë formatit të presidentit për t’u artikuluar por ka qenë një ceremoni korrekte serioze dhe dinjitoze për shtetitn shqiptar.

Dekretimi i Xhafajt rihapi debatin me zotin Zhiti, madje kishte dhe fyerje mes jush

Kurrë në jetën time nuk kam fyer nuk kam akuzar dhe as nuk do fyej dhe as nuk do akuzoj kërrkend. Patjetër që çdo fyerje e adresuar ndaj meje është e toleruar por çdo akuzë do të përballet me institucionet e shtetit dhe të ligjit, është shumë e thjeshtë.

A mund të shmangej ky debat?

S’kam hyrë në asnjë debat dhe s’kam bërë asnjë akuzë edhe asnjë fyerje.

Pse është refuzimi për z. Zhiti?

Ka patur një arsye shtetërore por ato që ishin arsye që unë mora vendimin kishin të bënin se pari me mos respektimin e procedurës nga ana  e qeverisë. Sepse ambasadori ndryshe nga ministri është emërtesë e Presidentit të Republikës. Refuzimi i qeverisë për të respektuar procedurën e emërtimit, së dyti disa artikulime të papranueshme të kanditaturës së propozuar për ambasadorë për Selinë e Shenjtë kundër Kishës Katolike për inkuizicion. Pra e papranueshme se si një njeri që ka një kuptim të tillë për Kishën të shkojë të ndërtojë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me atë të Vatikanit. Dhe së treti në takimin që më është kërkuar mes një deputeti të PD për të pritur në zyrë kandidatin për ambasador, konstatova që nuk ishte në situatën e duhur për të kryer këtë detyrë.

Si e konstatuat këtë?

Përgjatë bisedës së zhvilluar.

Për verifikimin e figurës së tij sa kohë ju është dashur?

Nuk kam kërkuar verifikim të figurës së tij se nuk kisha ndërmend ta dekretoja.

U përmend shumë një mesazh i mbërritur kundër figurës së tij?

Mesazhi ka ardhur pas debatit të bërë. Pra, pas artikulimeve të tij kundër Presidentit, ka mbërritur dhe ai mesazh të cilin nuk doja ta bëja publik. Dhe nuk ka qenë ai mesazh arsyeja e mosdekretimit.

Pak na ndajnë nga mandati juaj si President i Republikës. Si do i përkufizoni ju këto 5 vite?

Mandati mbaron më 24 korrik të këtij viti. Pavarësisht se unë jam zgjedhur President 11 qershor të vitit 2012, unë jam bërë President ditën që jam betuar, më 24 korrik të 2012-s kur mbaroi mandati i Presidentit paraardhës. Qëllon për herë të parë që zgjedhja përkon me zgjedhjet parlamentare. Ky rast është parashikuar në Kushtetutën e vendit dhe me ligjin përkatës ku thuhet se në momentin kur Presidenti zgjidhet në të njëjtin moment me parlamentin, Presidentin e zgjedh parlamenti që shpërndahet.

Pra parlamenti aktual ka të drejtën nëse arrin të zgjedhë Presidentin e ri të vendit. Nëse nuk zgjidhet Presidenti nuk provokohet një krizë politike, pasi e vetmja krizë që mund të provokohet janë zgjedhjet e parakohshme. Por në këtë rast ne kemi zgjedhje. Paralamenti duhet të llogarisë 5 javë para se të shpërndahet. Duhet të llogaritet afati i fushatës elektorale, më pas Parlamenti llogarit ditën e shpërndarjes, dhe më pas 5 raunde në të cilat zgjidhet Presidenti. Nëse nuk zgjidhet në këtë rast, atëherë pas 24 korrikut kompetencat e Presidentit i kalojnë kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, deri sa të zgjidhet Presidenti i ri i vendit. Nuk do ketë ngërç politik.

A do e shihnit ju një mandat të dytë si President?

Unë kam shprehur gatishmërinë time për të vazhduar detyrën. Pse? Së pari, e ndjej veten në kapacitet të plotë për të përmbushur detyrën. Besoj që vijimi i punës do jetë më i mirë për shkak të eksperiencës. Ashtu si dhe mendoj dhe besoj se e kam kryer duke përmbushur tre elementë: seriozitetin, dinjitetin dhe thjeshtësinë. Këto parime i kam përkthyer në tre kolona dhe besoj që i kam realizuar si objektiva.

Ka pasur një deklaratë nga ana e kryeministrit Rama  ditët e fundit gjatë vizitës së tij në Francë se alternativë mund të jetë zgjedhja e Presidentit nga diaspora. Kjo sanksionohet nga Kushtetuta e cila thotë se Presidenti duhet të jetë një shtetas shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vitet e fundit në Shqipëri dhe që është më shumë se 40 vjeç

Këtë duhet t’ja thoni kryeministrit ta lexojë ai. Çdokush që përmbush kriteret kushtetuese ka të drejtë të zgjidhet President. Nëse çdo burrë e grua përmbush kriteret mund të zgjidhet. Nuk shoh ndonjë problem a kufizim.

Gjatë këtij mandati 5-vjeçar kur keni marrë ndonjë vendim të vështirë, kur e keni ndjerë veten në vështirësi?

Jo, mund t’ju them se nuk ka patur ndonjë moment të vështirë sepse në fakt për fatin e mirë, Kushtetuta e vendit ka krijuar një mundësi që e ka komoditetin që Presidenti e përmbush detyrën pa u vënë në vështirësi.

Nuk kemi pasur për fatin e mirë ndonjë situatë të jashtëzakonshme, emergjente në vend, tek qytetarët shqiptarë, kanë qenë problematika që më së shumti kanë pasur të bëjnë me angazhimet e ekzekutivit në raste situatash problematike por ne nuk kemi patur situata kur Presidenti i Republikës për shkak të kompetencave të parapara në raste emergjence të marrë drejtimin të themi të Forcave Ushtarake, raste të tilla nuk kemi patur për fat të mirë. Unë nuk kam patur ndonjë situatë specifike ku të kem pasur vështirësi por ja atribuoj këtë që them më së shumti parashikimeve dhe konsolidimeve që ka krijuar Kushtetuta por njëkohësisht edhe praktika, praktika e ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës në Shqipëri.

Për gjërat e shkuara keq në këto 5 vite, a ka diçka për të cilën ndiheni përgjegjës si President i Republikës?

Unë mendoj që nëse qeveria nuk do të ishte treguar armiqësore ndaj Presidentit të Republikës, s’po them bashkëpunuese maksimalisht por të mos ishte treguar armiqësore besoj që ne do të kishim patur mundësi të godisnim me efikasitet korrupsionin dhe paaftësinë në radhët e sistemit të drejtësisë. Duke qenë që qeveria u tregua armiqësore duke ndërhyrë në KLD, duke shkarkuar një numër anëtarësh të KLD-së, duke e lënë Këshillin e Lartë të Drejtësisë pa një nënkryetar, duke krijuar një frymë konfliktualiteti, politizimi i hoqi mundësitë edhe mekanizmave të tjerë, edhe Presidentit të Republikës, që nëpërmjet një bashkëpunimi të shëndetshëm me qeverinë të godiste me efikasitet këto fenomene shqetësues në sistemin tonë të drejtësisë. Për këtë ndiej një keqardhje që është bërë kjo pengesë artificiale për synime tërësisht politike për fat të keq, për të patur thjesht kontroll përmes presionit mbi sistemin e drejtësisë dhe nuk iu kemi shërbyer qytetarëve në këtë aspekt. Por gatishmëria e Presidentit ka qenë gjithmonë evidente. Besoj që ndoshta në të ardhmen këto modele të mos i kemi më evidente.

A do t’i vijoni ju angazhimet politike edhe pas përfundimit të mandatit tuaj?

Nisida shiko, unë jam njeri që jam investuar në politikë që në vitin 1997 kur u largova nga administrata publike për motive politike e më tutje jam angazhuar në politikë. Nuk kam pasur ndonjë dhunti për t’u fokusuar tek biznesi, tek arti apo tek elemente të tjerë të jetës, kështu që të gjithë eksperiencën time e kam në politikë. Besoj që do vazhdoj të mbetem një veprimtar shoqëror i mirë i këtij vendi edhe pasi të largohem nga institucioni i Presidentit të Republikës.

Në strukturat e Partisë Demokratike?

Nuk mund të them. PD është një parti që i ka strukturat e saj tashmë, i ka të konsoliduara, i ka në aktivitet. Kam respektin maksimal, por nuk mund të them. Unë jam sot një President i Republikës, se çdo të ndodhë në të ardhmen nuk mund të parashikoj me angazhime të drejtpërdrejta politike. Por, padyshim që duhet të kemi parasysh që unë kam arritur pozicionin më të lartë të shtetit, Presidentin e Republikës dhe ky raport dhe ky standard duhet respektuar dhe unë do ta respektoj gjithmonë.

Pikërisht kjo…kur një politikan arrin majën duke u bërë President i Republikës, ndoshta këtu është edhe fundi i karrierës si politikan për të apo…

Jo, nuk besoj. Nuk po them në kuptimin politikan në një post. Unë nuk mund të pretendoj poste publike përtej atij të Presidentit të Republikës sepse nuk ke poste përtej Presidentit të Republikës. Në aspektin institucional ju keni të drejtë kur thoni kur njëri shkon president dhe padyshim që në aspektin e pozicionit institucional dhe unë nuk mund të kem pretendime në këtë sens. Por si një kontributor politik në dimensione të ndryshme, patjetër që atë unë nuk mund t’ja ndaloj dhe mund t’ja mohoj vetes dhe askush nuk mund të ia mohojë vetes së tij për të qenë një veprimtar politik dhe shoqëror. Si i pozicionuar në struktura apo jashtë strukturave, në shoqërinë civile, në media, apo në një parti politike, ato janë çështje pastaj që varen nga rrethanat e kohës.

Ju thirrët mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për sa i takon çështjes së Kelmend Balilit por asgjë nuk u fol më pas. Ku është çështja, çfarë strategjie ndiqet, pse u pushua, pse nuk u fol më?

Padyshim që Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk është një instrument ekzekutiv, as nuk bën hetime, as nuk bën vëzhgime, as nuk bën ndalime, as nuk bën arrestime e kështu me radhë. Këshilli i sigurisë Kombëtare e ngriti rëndësinë e çështjes atje ku e meritonte vetë si çështje që kishte krijuar shqetësim, kishte angazhuar resurse të partnerëve ndërkombëtarë, kishte krijuar një cedim besueshmërie midis institucioneve të shtetit shqiptar që merren me zbatimin e ligjit me të partnerëve ndërkombëtarë dhe ne demonstruam që përtej përgjumjes, mosangazhimit të disa institucioneve, në tërësi institucionet e shtetit shqiptar janë të motivuara, kemi lënë detyrat tona dhe po ndjekim zbatimin e këtyre detyrave që la Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Situata alarmante e kanabisit, Zv.kryeministri Niko Peleshi bëri publike strategjinë që do ndiqet në luftën kundër drogës. Ju si e vlerësoni këtë situatë dhe këtë strategji apo platformë?

Kam qenë një nga zërat më të fortë të prezantimit të shqetësimit në lidhje me kanabisin. Nuk ka pasur asnjë konotacion politik, nuk ka pasur asnjë qëllim për të denigruar ndonjë institucion apo për të përdorur, le të themi situatën për të targetuar politikisht individë apo institucione. Por, ka qenë një shqetësim i cili ka të bëjë me nivelin e kriminalitetit dhe perspektivën e kriminalitetit që sjell fenomeni i kanabisit.

Për fatin e keq rezultoi i vërtetë shqetësimi dhe niveli i shqetësimit tim. Për fatin e mirë, më në fund u pranua dhe ka angazhime përmes platformave që thatë ju apo përmes angazhimeve të ndryshme që mbeten për t’u parë sa serioze dhe sa eficiente do të jenë.

Si e shihni punën e ambasadorëve të akredituar në vendin tonë? Duke se shfaqja e tyre në këtë krizë ka qenë e paktë ose e fshehtë, pse ka kaq tërheqje?

Unë vlerësoj dhe do vlerësoj vetëm ambasadorët e vendit tim. Ambasadorët e huaj duhet t’i vlerësojnë Presidentët e vendeve që i kanë çuar për të shërbyer dhe për të verifikuar se sa këta ambasadorë kanë punuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nuk është në tagrin e Presidentit të Republikës dhe të askujt tjetër në Shqipëri për të vlerësuar punën e ambasadorëve. Janë vendet e tyre, presidentët e tyre që i vlerësojnë ata.

Sa larg është Shqipëria nga Bashkimi Evropian me të gjitha zhvillimet që ka patur?

Procesi i integrimit është një proces i cili është kompleks. Ne nuk duhet të konsumojmë kohë me debate rreth detajeve. Ne jemi të qartë besoj në 2-3 elementë bazikë. Së pari, orientimi perëndimor dhe evropian i Shqipërisë është i padiskutueshëm, është i pandryshueshëm, është alternativa e vetme. Kjo është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka asnjë cedim në këtë mes.

Kush mendon se mund të krijojë ndonjë cedim apo ndonjë pikëpyetje është i dështuar dhe mund të them një aventurier dhe asgjë më shumë. Së dyti, procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm sepse ne përmes procesit do të arrijmë standardet. Kur të vijë momenti i vendimmarrjes politike që ne të jemi anëtarë, atëherë do të thotë që ne e kemi kaluar procesin, pra i kemi arritur këto standarde në zhvillimin e lirisë, së demokracisë, së institucioneve, ekonomik, infrastrukturor, kulturor e kështu me radhë. Pra, e dyta është procesi i cili do të jetë shumë ndihmës.

Dhe së treti që besoj është shumë e rëndësishme duhet të kemi parasysh që ne do të integrohemi në BE, duke i bindur qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, institucionet e vendeve anëtare të BE-së dhe mekanizmat e Brukseli që Shqipëria është e gatshme për të qenë kontributore jo konsumatore në BE. Me këtë dua të them që të lihet me një anë retorika e të ashtuquajturës shantazhim apo kapardisje, apo konfliktualitet në proceset e integrimit me vendimmarrjen politike në Bruksel apo në vendet anëtare të BE-së. Nuk i shkon askujt, përkundrazi e dëmton procesin dhe e dëmton imazhin e Shqipërisë. Dhe për ta mbyllur Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveç se të jetë edhe de facto, të jetë edhe de juro anëtare e strukturës së Bashkimit Evropian. Ka një dilemë sot se cila do të jetë struktura, se cila do të jetë arkitektura e BE-së pas këtyre sfidave që vetë BE është duke ndeshur por në cilëndo arkitekturë të re që do të ketë BE në vitet që vijnë apo dekadat që vijnë, unë besoj që pozicionimi i Shqipërisë nuk ndryshon, objektivi i Shqipërisë nuk ndryshon dhe rrugëtimi i Shqipërisë nuk ndryshon./ Balkanweb.com

Login to post comments
back to top