"Feçori, arrogant e prepotent, luante letra gjithë natën".Zbulohet letra e Sigurimit

"Feçori, arrogant e prepotent, luante letra gjithë natën".Zbulohet letra e Sigurimit

Në numrin e kaluar, përveç një dokumenti sekret të ish-sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, Muho Asllani, dërguar Komitetit Qendror, u njohëm edhe me një raport-informacion të përpiluar po në vitin 1982, nga sekretari i Komitetit të Partisë së Degës së Brendshme të Durrësit, Vangjel Gugu.

Në numrin e sotëm po publikojmë vazhdimin e atij dokumenti, ku informohet udhëheqa e lartë e Komitetit Qendror të PPSH-së, për dhjetëra kuadro të Sigurimit të Shtetit, Degës së Brendshme të Durrësit, Ministrisë së Brendshme etj., mbi lidhjet dhe bashkëpunimin që kanë pasur ata me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut etj.”.

Ndër dhjetëra të akuzuar, bien në sy emra të njohur funksionarësh të lartë të asaj kohe, diplomatë dhe oficerë të Sigurimit të Shtetit, si: Rexhep Kolli, Zoi Themeli, Bato Karafili, Edip Çuçi, Kapllan Shehu, Kleanthi Andoni, Dhimitër Gjoni, Ylli dhe Gëzim Hila, Ali Ymeri, Bashkim Dino, Isuf Mullaj, Tahir Malo, Kadri Gojashi, Lirim Pëllumbi, Dhimitër Bonata, Ramadan Sançolli, Zihni Cukalla, Qazim Myftiu, Hasan Caslli etj.

Ndër emrat që akuzohen në atë raport-informacion tepër sekret, bie në sy edhe ai i shkrimtarit, skenaristit dhe dramaturgut të mirënjohur, Bashkim Hoxha nga Durrësi, për të cilin thuhet se u zgjodh në organet e larta të Komitetit Qendror të Rinisë së asaj kohe, vetëm pse ishte mik i ngushtë i Bashkim Shehut, djalit të “armikut Mehmet Shehu”. Ashtu si dhe dokumentet e kaluara dhe këto në vijim do publikohen të plota e pa asnjë ndryshim apo shkurtim.

RAPORT-INFORMACIONI PËR KOMITETIN QENDROR

Në një rast tjetër për një person, i cili kishte materiale të vjetra, por me shumë interes për t’u ndjekur si agjent të mundshëm të zbulimit jugosllav, është mbyllur problemi nga armiku Lirim Pëllumbi, duke thënë se kam biseduar me ministrinë. Në dy raste janë dërguar jashtët shtetit, 2 persona me material që ndiqen aktivisht për agjentë të mundshëm të zbulimeve revizioniste dhe në një rast tjetër është propozuar për të shkuar vizitore një grua shtresë e pasur, burri i saj me materiale të dyshimta si spiun i grekut dhe një kunat të pushkatuar e një të dënuar si agjent i zbulimit grek.

Për të tria këto raste, armiku Lirim Pëllumbi është shprehur se kam biseduar me Feçor Shehun. Po kështu janë dërguar me urdhër të tyre vizitorë jashtë kritereve të caktuara. Është dhënë orientimi nga armiku Feçor Shehu që përpunimet që ndiqnin për agjentë të mundshëm të siguroheshin prova për agjitacion e propagandë e të goditeshin për këtë krim dhe pastaj në burg të ndiqeshin si agjentë. Nën pretekstin e objektivitetit në disa raste u dhanë udhëzime që të ndryshojë tendenca e disa objekteve nga spiunë të mundshëm, në agjitacion e propagandë.

Me orientimin e ministrisë, para disa vitesh u vu theksi në ndjekjen me precedentë të elementëve nga ish-borgjezia, duke lënë drejtimet e tjera e sidomos lidhjet e të arratisurve. Organet e Sigurimit të Shtetit u ngarkuan me agjentura të panevojshme, si ajo e profilizuar dhe kundër diversionit, e cila është në kundërshtim me platformën. Vetë afatet e shkurtra të përpunimeve për agjentë ka qenë frenim për punën e punëtorëve operativë, për të marrë përpunime për agjentë të mundshëm. Në vitin 1975, në organizatën bazë të Partisë të Sigurimit në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, janë ngritur probleme në adresë të armikut Feçor Shehu për takime të dyshimta me një kuadër të zbulimit jugosllav që vinte si drejtor i “Kosova Eksport”, i quajtur Sokol Nimani, po ashtu për figurën morale të tij dhe lidhjet e tij me Sami Muahmetin, që u godit si pjesëtar i komplotit në ushtri.

Këto probleme u mbyllën nga Bato Karafili dhe ndaj atyre që ngritën këto problem u morën masa transferimi dhe uljeje në detyrë. Në adresë të shokut Idriz Seiti, ish-Kryetar i Degës, Kukës, dhe aktualisht në ambasadën tonë në Rumani, para kuadrove të degës së Kukësit është shprehur se: “Mua më ka bërë njeri Mehmet Shehu”, si dhe ka pasur marrëdhënie familjare dhe është në lidhje fisnore me armikun Mehmet Shehu. Konsulli ynë në Turqi, Ali Ymeri, duke mos pasur aftësi për të kryer një detyrë të tillë, ka shkuar atje vetëm si lidhje fisnore e së shoqes të armikut Feçor Shehu.

Për kohën që Feçor Shehu vinte në Turizëm “Adriatik”, Durrës, si lidhje të tij ka qenë Isuf Mullai, i cili është futur në Parti në moshën 53-vjeçare nga armiku Mihallaq Ziçishti. Isuf Mullai karakterizohet si njeri negativ në Turizëm dhe komunikon dhe vetë për funksionin e punës me të huajt. Në një rast, armiku Mihallaq Ziçishti në fshatin Qerret të Jubë-Sukthit, është shprehur se: “Populli i kooperativës nuk ka faj, se ndodhet para 3 hajdutësh. Nga njëra anë është S.M.T. që grabit kooperativën, nga ana tjetër shteti, dhe nga ana tjetër hajdutët që vjedhin”.

Në një rast, në vitet 1950-1952, një qytetar që është përdorur nga Zbulimi ynë në Jugosllavi, ka thënë se në atë kohë, kur ka shkuar atje në takim me vëllain e tij, ky i fundit i ka thënë se UDB-ja na ka mbajtur 4 orë dhe dinte komplet intenerarin tuaj me kë do të takoheshit këtu dhe se çdo gjë që do të kërkonin do të na e jepnin, por ne në të njëjtën kohë duhej që ai (vllai) të informonte UDB-në.

Armiku Feçor Shehu në një analizë pune në Degën e Durrësit, në vitin 1979, kur u ngrit problemi i lëvizjes së një kuadri, është shprehur: “Nuk të bëjmë dot hetues, mbasi na i prenë duart të tjerët, na preu duart e KQ i Partisë, na vuri përpara letrën e shokut Hysni për kriteret e lëvizjes së kuadrit”. Më 15 tetor e deri në fundit e muajit nëntor 1978, në Parkun e Eksportit me ndërhyrjen e armikut Lirim Pëllumbi, janë kthyer 18 shoferë, të cilët më parë ishin larguar për qëndrime e sjellje jo të mira. Në vitin 1965 është ndjekur me dosje të centralizuar një grup si agjentë të Zbulimit grek, dhe kjo e vërtetuar në rrugë operative e legale. Kur iu relatua udhëheqjes së Ministrisë për goditje, erdhi përgjigje që të arrestohen për motive ordinere dhe që, në fakt, nuk u arrestua asnjë.

Ylli Hila ka qenë një lidhje e ngushtë e armikut Feçor Shehu. Është bërë nga ai zv.kryetar i Degës së Parë. Disa muaj më vonë, me insistim të Feçor Shehut, u bë kryetar i Degës së Parë. Për gabimet është hequr dhe dërguar zv.kryetar Dege në Sarandë. Përsëri atje ka qenë duke u përjashtuar nga Partia, por me ndërhyrjen e Feçor Shehut shpëtoi dhe e dërgoi shef të Seksionit të Parë në Shkodër. Aktualisht është në Degën e Punëve të Brendshme Krujë. Ylli Hila ka kunat Muhamet Prodanin, element antiparti. Mbasi u morën vesh masat nga organizata bazë e Partisë e Sigurimit dhe u përjashtuan nga Partia Hasan Caslli e të tjerë, ish-kryetari i Degës Lushnjë, Kapllan Shehu, është takuar në Durrës dhe ka shoqëruar në xhiro Hasanin.

Është parë nga shoku Kiço Pejo, se në raportet që Drejtoria e Hetuesisë i ka dërguar shokut Hysni Kapo, ai bënte përbri tyre shënime, vërejtje, e jepte porosi me rëndësi e orientime se si të ecte puna në hetuesi. Këto nuk kanë ardhur në bazë. Pretendimi i armikut Kadri Hazbiu në Plenumin e 5-të të KQ të PPSH bëhet me qëllim të keq. Në vitin 1955-1956, nga një burim i Zbulimit tonë, janë furnizuar të dhëna se Zbulimi italian dispononte të dhëna të rëndë- sishme mbi ushtrinë tonë. Këto të dhëna Zbulimi italian i kishte siguruar nëpërmjet zbuluesve të Ambasadës Italiane në Athinë. Këta të fundit ia kishin marrë Zbulimit grek, të cilët shënonin në material se grekët kishin oficerë madhorë në Ushtrinë shqiptare.

Kur u arrestua Teme Sejko, ky material u kërkua nga armiku Kadri Hazbiu e Zoi Themeli. Të shikohet si është vlerësuar nga këta armiq. Më kujtohet se në vitet 1957-1968, Edip Çuçi është ankuar tek armiku Mehmet Shehu për Jonuz Mersinin dhe Kleanth Andonin. Përse ka qenë ankesa, nuk dihet. Mehmet Shehu në atë kohë këta i hoqi nga Roma dhe i çoi në Nju Jork. Të shikohet se mos ka pasur lidhje me ta. Skënder Konica ka qenë përgjegjës i Zbulimit tonë në Itali. Kur i ka dorëzuar punën Dhimitër Gjonit në Romë, i cili e zëvendësoi, shumë punë të Skënder Konicës nuk qëndronin siç i kishte raportuar ai. Dhe për këtë, Dhimitër Gjoni i ka raportuar Drejtorisë së Zbulimit dhe Kadri Hazbiut.

Ky i fundit gjithmonë ka pasur simpati të veçantë dhe e ka mbrojtur si “asin” e Sigurimit. Në vitin 1972, për dështimin e një zbuluesi tonë në Egjipt, kishin dhënë udhëzime të gabuara nga Drejtoria e Zbulimit. Të shikohet kjo lidhur me veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut. Për këtë të fundit ka dijeni të plotë Rexhep Kolli. Në vitin 1962, në Drejtorinë e Zbulimit, nga zbuluesit tanë që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, doli një grup prosovjetik, një ndër ta ishte Zihni Cukalla. Puna në drejtim të veprimtarisë së këtij grupi u la në mes të rrugës nga armiku Zoi Theme li dhe Kadri Hazbiu. Puna ku punon Qazim Myftiu, kemi mendimin të shikohet nëse është informuar Partia nga armiku Kadri Hazbiu ose jo.

Mjetet e huaja që kanë ardhur në Vlorë, Divjakë, Durrës e Shëngjin, zbulimet e huaja ka mundësi t’i kenë përdorur dhe i përdorin për qëllimet e tyre armiqësore në drejtim të bregdetit tonë. Qazim Myftiu ka kunat Shyqyri Këllezin, i dënuar si element antiparti. Armiku Mehmet Shehu, duke pasur lidhje dhe marrëdhënie shumë të ngushta me armikun Llambi Peçini, dyshohet që ky i fundit të jetë përdorur në drejtim të shokut Hysni Kapo, për të marrë mendimet e tij për probleme të ndryshme që armiku Llambi Peçini bisedonte me armiqtë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu.

Armiku Mehmet Shehu ka mbajtur shumë afër vëllezërit Mendu e Servet Backa, i kish besuar shumë dhe e ka përdorur atë për shoqërues jashtë shtetit për vete dhe pjesëtarët e familjes së tij. Nipi i shokut Hysni Kapo, ish-oficer i parë në anijen “Durrësi”, Alaudin Kapo, për kontrabandë e agjitacion dhe propagandë u hetua me porosi të armikut Kadri Hazbiu e Mihallaq Ziçishti, duke thënë se këtë e bënin me porosi të shokut Hysni Kapo. Kemi mendimin që, megjithëse i plotësonte kushtet ligjore, mund të shpëtohej. Të shikohet se mos është bërë me qëllim të keq.

Në vitet 1963-1965, ndiqej një rezidenturë greke, në fakt në vitin 1965 është përgatitur një material për Byronë Politike, dhe më vonë u tha se ish miratuar arrestimi i tyre, për këtë kish qenë dakord edhe Sekretariati i Komitetit Qendror, por nuk u goditën. Kadri Hazbiu tha se do të goditeshin një nga një. Por ky problem u la fare dhe materialet u shpërndanë. Në vitet 1961-1966, një kushëri i Mihallaq Ziçishtit, thoshte se kish qenë me Mihallaq Ziçishtin në Korçë dhe ky i kishte thënë se më ka shpjeguar që ngiste këtë makinën. Kjo mund të bëhej prej tij për të takuar agjentët.

Armiku Feçor Shehu, kur u bë Kongresi i 8-të i Gruas në Durrës, në kohën që zhvilloheshin punimet e tij dhe kur tërë shokët ishin mobilizuar për shërbim, ai lozte tërë ditën e tërë natën letra me Hasan Casllin. Ishte arrogant e prepotent, synonte të dobësonte shërbimin për sigurimin e Kongresit.

Direktivat e orientimet e Partisë në bazë vazhdimisht kanë ardhur nëpërmjet urdhrave e udhëzimeve të ministrit. Kjo e ka dobësuar rolin udhëheqës të Partisë. Vinte armiku Feçor Shehu e thoshte: ky është spiun. Më vonë, kur ikte i kthente në agjitacion e propagandë. Pra kishte një çoroditje me afatet, gjë që e detyronte punëtorin operativ ta hiqte nga përpunimi si spiun. Kursantët që dërgohen në shkollën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një pjesë e mirë e tyre kanë lidhje fisnore me kuadro të organeve të Punëve të Brendshme dhe kryesisht këta dërgohen në kursin e Sigurimit. Kemi mendimin që kontingjenti për këtë shkollë të merret nga shkolla “Skënderbej”. Kjo për arsye se përjashton ndërhyrjet, zgjedhja për aftësitë e cilësitë e tyre bëhet më e mirë dhe përgatiten nga ana ushtarake. Punonjësit që punojnë në objektet e rëndësisë së veçantë, para se të hyjnë në punë, të shikohen nga organet e Punëve të Brendshme. Në rrethet e zonës bregdetare janë dërguar në detyrën e kryetarit të degës armiq dhe lidhje të armiqve, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. T

ë shikohet ky problem. Në muajin qershor 1982, Kadri Hazbiu ka shkuar në pikën ushtarake të vrojtimit Kryevidh, ku ka qëndruar 2 orë e 30 minuta. Qëllimi dhe shkaku i vajtjes në këtë pikë duhet parë e verifikuar. Në ndikimin e armikut Kadri Hazbiu, në organet e Punëve të Brendshme janë marrë e veshur mjaft nga lidhjet e tij familjare, farefisnore, miqë- sore e shoqërore. Të tillë ka edhe në Durrës, si djali i Rebani Shehut, nipat e Qerim Ukës, djali i Isuf Mullait, aktualisht punëtor operativ në Sigurimin e Ushtrisë, i cili i është shprehur një komunisti se kalimi i tij në organet e Sigurimit është bërë me ndërhyrjen e të atit të tij, tek armiku Feçor Shehu. Në muajin mars 1982, armiku Feçor Shehu, pas shkarkimit si ministër, ka ardhur një mbasdite, rreth orës 15:00, në hotel “Adriatik”, së bashku me Agron Çobanin, nuk janë futur në hotel dhe nuk kanë pushuar, por kanë bërë xhiro duke biseduar para hotelit.

Sekretar i Komitetit të Partisë së Degës Vangjel Gugu Durrës, më 25.10.1982

DASHNOR KALOCI/Panorama

Login to post comments
back to top