Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë

Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj zbuloi se kalimi në Rrugën e Arbrit do të jetë pa pagesë, pasi Qeveria ka vendosur ta financojë kompaninë private përmes buxhetit.
“Nuk do të ketë pagesë për qytetarët, për automjetet. Në atë rrugë, relacioni i takon asaj çfarë sugjeron kompania, por Qeveria është shumë e qartë që ajo rrugë do të jetë pa pagesë”, thotë ministri i Financave.
Rruga është vepra e parë e projektit 1 miliardë euro të shpallur nga Qeveria. Ndërtimi i saj pritet të nis brenda pak muajsh.
“Maksimumi fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut ne do të kemi një fitues të deklaruar dhe unë besoj që kantieri do të fillojë shumë shpejt pas deklarimit të fituesit”, thotë Ahmetaj.
Por qeveria thotë se ka oferta të ngjashme edhe për disa akse të tjera të rëndësishme rrugore.
“Ka oferta për rrugë në Veri të vendit, ka oferta në konsiderim për rrugë në jug të vendit, që përfshijnë aksin Delvinë-Kardhiq, Orikum-Himarë, ndërkohë që ka edhe një procedurë të avancuar nga Bashkia e Tiranës, në dijeninë time në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit për 20 shkolla të reja në Tiranë”, deklaroi Ahmetaj.
Në mbledhjen e fundit Qeveria miratoi një bonus prej 10 përqind për kompaninë “Gjoka Konstruksion”, e cila ka ofruar ta ndërtojë rrugën për 33.6 miliardë lekë.
Login to post comments
back to top