Topalli-Bregu-Selami kundër Lulzim Bashës

Topalli-Bregu-Selami   kundër Lulzim Bashës

Protesta 70 ditore e Partisë Demokratiek në çadër dhe kreu i opozitës Lulzim Bashës është sulmuar ashpër dje për bojkotin e zgjedhjeve. Këtë herë, akuzat dhe kritikat nuk kanë ardhur nga mazhoranca apo ndërkombëtarët, por nga brenda vetë Partisë Demokratike. Tre politikanë me përvojë në selinë blu; Jozefina Topalli, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami kanë shprehur hapur kundërshtinë e tyre me gjithë aksionin e ndjekur nga Lulzim Basha gjatë muajve të fundit. Përveç kritikave që kanë të bëjë më mënyrën sesi po funksion opozita, të tre politikanët e PD-së kanë një mendim të përbashkët kur vjen puna te bojkoti i zgjedhjeve.

Sipas treshes Topalli, Bregu dhe Selami, PD-ja nuk duhet t’u shmanget zgjedhjeve dhe betejave elektorale. Ish-kryetarja e Kuvendit dhe një nga politikanët më karizmatike në PD ka kërkuar që Basha të mbledhë forumet dhe grupin Parlamentar për të vendosur se çfarë qëndimesh duhen mbajtur dhe PD-ja të mos u shmanget zgjedhjeve. “Kam kërkuar prej disa javësh mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar se çfarë do të bëhet me pjesëmarrjen në zgjedhje si dhe për t’u njohur me kostot e bojkotit që lidershipi i PD ka vendosur në raport me zgjedhjet”,- tha dje Jozefina Topalli. Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu e sheh si masë urgjente ndryshimin e kursit politik të Patisë Demokratikenë raport me zgjedhjet.  Më i ashpër nga të gjitha qëndrimet është ai i Eduard Selamit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” Selami flet për pengmarrje të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha. Duke u shprehur i bindur se PD-ja duhet të hyj në zgjedhje, Selami thotë se Basha po e vendos Partinë Demokratike kundër interesave të vendit në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Të tre deputetët e Partisë Demokratike e cilësojnë bojkotin e zgjedhjeve si një gabim historik që mund të ketë pasoja të rënda për opozitën. Deklarata e bëra dje nga treshja e deputetëve mbeten kritikat më të ashpra që Basha ka marrë nga brenda partisë që me nisjen e protestave në 18 shkurt të këtij viti. Por pas tre deputetëve ka folur edhe Fatmir Mediu. Ai ka thënë se vendimmarrja për bojkotin ose jo të zgjedhjeve të 18 qershorit i takon strukturave drejtuese të PD.

"Janë tre kolegë në Parlament që i vlerësoj, kanë një eksperiencë të madhe. Sigurisht, vendimmarja në politikë duhet të funksionojë përmes forumeve. Dhe është përgjegjësi e z.Basha që të ulet dhe të analizojë kush është vendimi më i drejtë.  Mbledhja e forumeve është domosdoshmëri dhe z.Basha uroj ta ketë bërë këtë ose duhet ta bëjë. E rëndësishme është pjesëmarrja në zgjedhje, por ne kemi ngritur shqetësimin se krimi i organizuar, korrupsioni cenojnë procesin. Ne jemi për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm", u shpreh Mediu për Report Tv.

Qëndrimet e djeshme të tre deputetëve kanë sjellë  reagime të ashpra nga deputetët e tjerë të selisë blu që janë për vazhdimin e bojkotit. Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani i cilësoi këto qëndrime si kërcitje e fundit të shtrëngatës.  Ndërkohë që deputeti Genco Pollo ka shkaktuar edhe më tej duke komentuar indirekt qëndrimet e Eduard Selamit vetëm me shprehjen; “Po ky gjallë qenka? Kisha kohë të gjatë pa parë e dëgjuar!”. Deputetë të tjerë afër Bashës dhe drejtues të forumeve në selinë blu nuk kanë hezituar të nisin sulmet verbale ndaj treshes së deputetëve që kërkojnë futjen në zgjedhje. Vetë Basha në një reagim në Facebook foli për zgjedhje si në diktaturë dhe PD nuk do të lejojë zgjedhje si në monizëm. Edhe pse nuk i përmendi me emër tre deputetët, Basha la të kuptohej se përgjigja ishte për Topalli, Bregun dhe Selamin. Sherri i nisur dje në PD është i fortë edhe për shkak të afateve kohore. PD-ja ka shumë pak kohë në dispozicion për të diskutuar nëse njëra palë ka të drejtë apo gabim. Brenda dy ditëve të fundit duhet të hyjnë në zgjedhje ose jo. Nuk ka më shans. Qëndrimet kundër Bashës dhe sulmet ndaj atyre që kërkojnë thyerjen e bojkotit vetëm se tregojnë edhe një herë krizën e fortë të opozitës dhe udhëkryqin që çadra ka sjellë për zgjedhjet, por edhe për vetë Partinë Demokratike, sidomos pas mosdëgjimit të propozimit të PPE dhe kominierëve të BE.

Basha e pati një mundësi ku mund të dilte i fituar dhe pa sherre brenda partisë së tij. Negociatat e drejtuara nga David Mcallister dhe platforma e kompromisit që iu ofrua një javë më parë në Pallatin e Kongreseve ishin rasti më i mirë ku të gjitha palët dilnin të fituara. Në mos dilte më i fituar Lulzim Basha.

Tani Lulzim Basha duhet të vendosë: Më mirë një PD e bashkuar apo një PD e përçarë dhe përballje me Edi Ramën. E dyta ka kosto, aq me tepër që ka informacione se deputetët të cilët dalin kundër kryetarit Basha nuk janë vetëm tre. Janë me shumë se 10. 

Login to post comments
back to top