Ilir Meta, presidenti ndryshe

Ilir Meta, presidenti ndryshe

Deri më 24 korrik, datë kur betohet, do shikojmë të njëjtin Ilir Meta. Me 24 korrik e pas do kemi tjetër Kryetar Shteti, ndryshe nga sa kemi parë në këto 27 vite.

Në fjalimin e parë si kryetar shteti, Ilir Meta tha: Të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve. Do t’ju lutesha të gjithëve që të përpiqemi në këto orë e ditë që t’i japim jo gjithë partive, por gjithë qytetarëve mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet që vendi meriton.

Ilir Meta është tashmë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Kuvendi miratoi dje kandidaturën e tij në raundin e katërt të votimit për postin e kreut të shtetit. Ilir Meta ka marrë 87 vota pro dhe 2 kundër, edhe pse për zgjedhjen e tij mjaftonin 71 deputetë. Emri i tij u propozua nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe mori mbështetjen unanime të gjithë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Zyrtarisht detyrën e kreut të shtetit, Meta do ta marrë më 24 korrik, kur do të bëjë edhe betimin. Ilir Meta do të jetë Presidenti i 6-të i Republikës së Shqipërisë në demokraci. Karriera politike që nga viti 1991 dhe më pas thuajse në gjithë institucionet e larta e shtetit, e bën Ilir Metën politikanin më profilin më të përshtatshëm dhe me me përvojë, për kreun e shtetit. Kurorëzimi i djeshëm si President i Republikës duket se një rrugëtim i natyrshëm i një politikani që ka treguar maturi dhe pjekuri politike përgjatë viteve kur ka qenë Ministër, Kryeministër, Kryetar Parlamenti. Por më shumë se kaq Meta si kryetar i LSI-së ka treguar se në politikë është njeriu i konsensusit dhe marrëveshjeve që garantojnë stabilitet. Përveç ndikimit në politikën shqiptare, Meta është dhe politikani më i kualifikuar për përfaqësimin e interesave të vendit në marrëdhëniet rajonale dhe ato ndërkombëtarë. Karriera si Ministër i Jashtëm dhe Kryeministër, Kryetar Kuvendi e bën një nga shtetarët më të kompletuar në përfaqësimin e Shqipërisë. Ky është një vlerësim që nuk i bëhet vetëm nga ata që dje i dhanë votat për kryetar shteti, por edhe nga vetë përfaqësuesit e opozitës apo dhe kundërshtarët e tij. Pas 24 korrikut Presidenca do të ketë në drejtimin e saj një nga politikanët më të sprovuar që klasa politike ka prodhuar pas vitit 1991. Dhe do jetë një president i fortë edhe për faktin se ka në hijen e autoritetit dhe emrit të tij, një parti si LSI e cila në pak vite u bë një nga tre partitë kryesore të Shqipërisë. Janë munduar shumë personalitete të tjera para tij dhe pas tij të bëjnë parti, por kanë dështuar.

Presidenca e Metës do të ketë tjetër ritëm dhe tjetër ndikim në zhvillimet politike. Kjo dhe për faktin se zgjedhja e tij bëhet në një nga momentet më delikate të vendit. Opozita ka bojkotuar prej tre muajsh Kuvendin dhe Shqipëria rrezikon të ketë zgjedhjet e para parlamentare pa pjesëmarrjen e opozitës. Cilado qofshin arsyet e bojkotit, me opozitën në shesh dhe sulm, vendin nuk e presin ditë të mira. Ndaj dhe në fjalimin e parë si president i zgjedhur, në podiumin e sallës së Parlamentit, Meta pasi ka falenderuar të gjithë deputetët, përfshirë ata që votuan kundër dhe ata që munguan, ka premtuar se në detyrën e tij të re do t’i shërbejë demokracisë. “Unë kam zgjedhur dhe do zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, unë kam patur mundësinë të jem këtu vetëm përmes demokracisë”, ka thënë Meta.

Ai ka ftuar të gjitha palët që të mbrojmë standardet e demokracisë  dhe të forcojnë legjitimitetin e institucioneve. Në mesazhin e tij, Meta ka përmendur se orët dhe ditët në vijim janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit duke e theksuar rëndësinë që ka procesi zgjedhor.  Në fjalën e tij, Meta nuk përmendi asnjëherë 18 qershorin si datën e zgjedhjeve, po ka theksuar se vendi duhet të ketë zgjedhje me standarde. “Ndaj unë do bëj çdo gjë, me të gjitha cilësitë e mia, për të justifikuar këtë besim që ju më dhatë sot, jo vetëm para jush por edhe qytetarëve, Kushtetutës, interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen europiane të vendit dhe do t’u lutesha të gjithëve që të përpiqemi në këto orë e ditë që t’i japim jo gjithë partive, por gjithë qytetarëve mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet që vendi meriton”, ka thënë Meta.

I vetëdijshëm për situatën kritike që po kalon vendi, Presidenti i zgjedhur ka bërë një krahasim me ato që po ndodhin ditët e fundit në Maqedoni. Ai tha se të gjitha palët nuk duhet të rrezikojnë të shkatërrojnë ato që kanë ndërtuar gjatë këtyre viteve. “Dje kemi parë të gjithë ngjarje tronditëse në Kuvendin e Maqedonisë, që vijnë për shkak të një konflikti kokëfortësie politike të papranueshme, ndaj unë sërish dua t’u apeloj të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve tona, në mënyrë që të mos sakrifikojmë arritjet që vendi ka realizuar gjatë këtij mandati qeverisës, pasi është një detyrë dhe përgjegjësi e secilit prej nesh për të bërë gjithçka”, ka shtuar Meta.

Në fjalimin e tij të parë, Meta bëri thirrje për unitet dhe legjitimitet të institucioneve.

Mënjëherë sapo u zgjodh President nuk vonuan një mori personalitetesh të larta rajonale dhe europiane ta urojnë për zgjedhjen e tij. Ambasada amerikane në Tiranë ishte e parë, bile pesë minuta pas zgjedhjes ajo doli me një urim të veçantë për Ilir Metën.

Kjo ishte dita e parë e Ilir Metës si President. Deri më 24 korrik, datë kur betohet, do shikojmë të njëjtin Ilir Meta. Me 24 korrik e pas do kemi tjetër Kryetar Shteti, ndryshe nga sa kemi parë në këto 27 vite.

Këtu do jemi dhe shikojmë!

Qamil Xhani

Login to post comments
back to top