Tensionet me Veriun, Trump dërgon nëndetësen me raketa bërthamore

Tensionet me Veriun, Trump dërgon nëndetësen me raketa bërthamore
Nëndetësja amerikane “USS Michigan” mbërriti në Korenë e Jugut në mesin e tensioneve me Veriun komunist, që kanë bërë të fryjë erë lufte nga gadishulli korean.
Nëndetësja e mbushur me raketa do t’i bashkohet njësisë së luftanijeve të drejtuara nga aeroplanmbajtësja “Carl Vinson”, të cilat po afrohen në rajon pas pjesëmarrjes në një stërvitje ushtarake me Australinë dhe fillimit të manovrave të përbashkëta me dy destrojerë japonezë në perëndim të Paqësorit.
Peniani kërcënoi të dielën ta fundosë aeroplanmbajtësen amerikane me energji bërthamore. Gazeta shtetërore “Rodong Sinmun” shkruante se Koreja e Veriut ka armë që mund të mbërrijnë deri në Amerikën kontinentale dhe rajonin e Azi-Paqësorit, duke përmendur mes të tjerash edhe bombën me hidrogjen.
Shteti i izoluar komunist kremton të martën 85-vjetorin e themelimit të ushtrisë. Shfaqje të ngjashme, Peniani i ka shënuar në disa raste me prova raketore.
Në fillim të prillit, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dërguan mesazhe të paqarta se grupi “Carl Vinson” po shkonte drejt Koresë përpara datës 15 prill, ditëlindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il-sung, edhe kjo një ngjarje që festohet rëndom me teste provokuese.
Deri javën e fundit, aeroplanmbajtësja ishte në oqeanin Indian, e përfshirë në stërvitje me Australinë.
Login to post comments
back to top