Maqedoni, Ivanov mbledh sot liderët e partive

Maqedoni, Ivanov mbledh sot liderët e partive
Gjendja në Shkup dhe rreth Parlamentit të Maqedonisë paraqitet relativisht e qetë pas kaosit të një dite më parë, megjithëse paqartësia e situatës politike ka ende potencialin për më shumë dhunë.
Gjithçka nisi të enjten pasdite, kur deputetët e shumicës së re parlamentare, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca Shqiptare, zgjodhën kryetar të Kuvendit, Telat Xhaferrin. Kjo solli kundërshtimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, që sidoqoftë ishte verbal. Por, nuk ishte i njëjtë reagimi i qindra protestuesve që gjendeshin jashtë Parlamentit, të cilët arritën të depërtonin brenda godinës dhe të merrnin kontrollin e saj, duke ushtruar dhunë mbi deputetë dhe gazetarë. 
Fakti i zgjedhjes së një shqiptari në krye të Kuvendit të Maqedonisë duket se i ka rënduar më shumë se vetë procedura e zgjedhjes nacionalistëve maqedonas, që reaguan dhunshëm duke lënduar fizikisht mes të tjerëve edhe liderin e socialdemokratëve, Zoran Zaev dhe atë të Lëvizjes për Reforma PDSH, Zijadin Sela. Në total, 15 deputetë mbetën të lënduar gjatë dhunës së cilës nuk i shpëtuan as agjentët e policisë. 
Të gjithë liderët politikë në Maqedoni bënë thirrje për qetësi pas dhunës dhe për këtë arsye, Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov ka thirrur në një takim emergjence të gjithë krerët e politikës të premten për të diskutuar situatën e krijuar. Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, brenda e jashtë Maqedonisë kërkuan rend dhe stabilitet, ndërsa pranuan gjerësisht zgjedhjen e Talat Xhaferrit në krye të Kuvendit. 
Por, zor se telashet e Maqedonisë kanë mbaruar me kaq, pasi një pjesë e konsiderueshme e politikës dhe popullsisë nuk pranojnë kurrsesi që vendi të qeveriset pas marrëveshjes së LSDM me partitë shqiptare. Partia VMRO-DPMNE dhe Presidenti i dalë prej saj, Gjorgje Ivanov kërkuan ndalimin e dhunës, por nuk kanë ndërruar qëndrim përsa i takon situatës politike në vend, diçka që paralajmëron kriza të ardhshme.
/ Top Channel 
Login to post comments
back to top