Koreja e Veriut shfaq muskujt, prezanton arsenalin

Koreja e Veriut shfaq muskujt, prezanton arsenalin
Koreja e Veriut parlajmëroi SHBA të mos ndërmarre akte provokuese në rajon, pasi në të kundërt do t'i përgjigjej me sulme bërthamore.
Komentet vijnë ndërsa shteti komunist shënon 105 -vjetorin e lindjes së themeluesit të tij Kim Il Sung...Një paradë madhështore u mbajt në zemër të Phenianit, gjatë së cilës regjimi prezantoi arsenalin e fundit. 
Pamjet e shfaqura në televizionin shtetëror treguan ushtarët teksa marshonin  së bashku me tanket në sheshin Kim Il Sung, në praninë e mijëra njerëzve si dhe të udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un. Ai ishte i veshur me kostum të zi, e dukej i relaksuar teksa qeshte me bashkëpunëtorët.
Mes arsenalit të prezantuar gjatë asaj që njihet si 'dita e diellit' ishin edhe raketat e reja balistike ndërkontinentale. Avionët ushtarakë krijuan numrin 105 në qiell. Për herë të pare u prezantuan edhe raketat balistike Pukkuksong që lëshohen nga nëndetëset.  
Shfaqja e muskujve vjen mes tensioneve në rritje, ndërsa një flotë luftëanijesh amerikane i është drejtuar gadishullit korean. 'Jemi gati t’i përgjigjemi luftës me luftë..sulmeve bërthamore do t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë, sipas stilit tonë'-ishte komenti i Choe Ryong-hae, që besohet të jetë zyrtari i dytë më i rëndësishëm në Korenë e Veriut.
Mes shqetësimeve se Pheniani po i afrohet gjithmonë e më shumë qëllimit për të prodhuar një arsenal bërthamor, parada e së shtunës ishte një mundësi për udhëheqësin autoritar, që të shfaqte kapacitetet ushtarake.
 

Pheniani përgjigjet ashpër për kërcënimin bërthamor

14 prill, 2017

Koreja e Veriut ka kërcënuar se do t’i përgjigjet e para çdo mundësie për sulm që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Përgjigjja e ashpër e Penianit vjen pas deklaratës se përsëritur të presidentit amerikan Donald Trump se Shtetet e Bashkuara do ta zgjidhin vetë kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Komentet bëhen ndërkohë që të shtunën pritet një provë e re bërthamore e Koresë së Veriut.

Zv/ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Han Song Ryol tha se "Nëse SHBA ndërmer veprime ushtarake të papërgjegjshme, atëherë Koreja e Veriut do t’i përgjigjet e para”.

“Ne kemi në dorë një arsenal të fortë parandalues bërthamor dhe sigurisht nuk do të rrimë duar kryq në rast të një sulmi amerikan” - tha zyrtari në një intervistë eksluzive për Associated Press.

Një ditë më parë presidenti Trump i’u përgjigj prerazi njoftimeve se Koreja e Veriut ishte e gatshme të testonte të shtunën një pajisje bërthamore nëntokësore me rastin e përvjetorit të lindjes së themeluesit të vendit, Kim Il Sung.

"Koreja e Veriut përbën një problem dhe ne do të merremi me këtë problem”, - tha zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë intervistës sot Han fajësoi presidentin Trump për rritjen e tensioneve në gadishullin korean, duke thënë se komentet e tij tij "agresive" në Tweeter po krijonin "probleme". Ai tha se situata tani ndodhet në një "rreth vicioz" mes tensioneve që po përshkallëzohen.

Ndërkohë, Presidenti Trump shtoi se Kina "është duke punuar shumë fort” për të shmangur tensionin ndërkombëtar lidhur Korenë e Veriut dhe se ai shpreson që diplomacia e Pekinit do të jetë efektive.

Megjithatë në një tjetër koment të bërë të enjten, zoti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të përballen me krizën e Koresë së Veriut edhe pa Kinën, nëse do të jetë e nevojshme.

Një aeroplanmbajtëse amerikane si dhe luftanije u zhvendosën këtë javë drejt gadishullit korean në një shfaqje të forcës. Megjithatë nuk ka pasur asnjë kërcënim specifik amerikan si veprim shpagimi nëse Peniani kryen një tjetër provë bërthamore ose lëshon raketa të reja si sfidë ndaj sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Në Pentagon Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha se Uashingtoni është "duke punuar me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të zbusin situatën, por në fund është Koreja e Veriut, siç tha ai, “që duhet të ndryshojë sjelljen e saj."

Login to post comments
back to top