Meta zbulon se kur heq dorë nga partia dhe kush bëhet kryetari i ri i LSI-së

Meta zbulon se kur heq dorë nga partia dhe kush bëhet kryetari i ri i LSI-së

Petrit Vasili do të jetë kryetari i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vasili, i cili mban aktualisht postin e zëvendëskryetarit të kësaj force politike, do të marrë drejtimin e partisë më 23 korrik, ditë kur vetë Ilir Meta deklaroi se do të dorëzojë postin për tu betuar një ditë më pas si President.

Më 24 korrik Ilir Meta, kryetar i LSI, njëherësh kreu i Kuvendit, bën betimin si president i ri i Republikës së Shqipërisë. Ai u votua me 87 vota pro në seancën e kësaj të premteje në raundin e katërt për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Bujar Nishani dorëzon detyrën më 24 korrik, në mbyllje të mandatit të tij 5-vjeçar.

Lajmin për drejtimin e LSI-së nga Vasili, i cili mban edhe detyrën e ministrit të Drejtësisë, e bëri publik Meta gjatë një prononcimi për mediat pas seancës në Kuvend.

“LSI është një parti me statut të qartë, dhe pas kryetarit ka zëvendëskryetarin e parë, Petrit Vasili, dhe në bazë të statutit do të jetë ai drejtuesi i LSI deri në përfundim të këtij mandati me rizgjedhjen time në nëntor”, u shpreh Meta.

Ai tha se në respekt të Kushtetutës, do të mbajë detyrën e kreut të LSI-së, duke deklaruar se do të udhëheqë edhe fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Unë do të respektoj kushtetutën e vendit në mënyrë të denjë, në 24 korrik do duhet të bëj betimin si president i ardhshëm për 5 vitet në vijim. Dhe më 23 korrik do të dorëzoj dokumentin e LSI tek Sekretari i Përgjithshëm, ose zëvendëskryetari dhe do ti them ma ruani mirë”, përfundoi Meta.

Login to post comments
back to top